Brenda stacionit të Policisë së Kosovës në Jarinje, ka 15 ditë që po qëndron Dejan Pantiq, ish-polici serb i arrestuar nën dyshimet për organizim të sulmit ndaj objekteve të KKZ-së në Mitrovicë të veriut.
Barrikadat e vendosura në rrugë, e kanë bërë të pamundur transferimin e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Pantiq, mbrëmjen e së shtunës u vizitua nga një ekip mjekësor i EULEX-it.
Këtë e konfirmoi vet shefi i këtij misioni të Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, një ekip mjekësor i EULEX-it e kontrolloi mbrëmë D. P. i ndaluar nga Policia e Kosovës. Ky është kontrolli i dytë mjekësor i D. P. i kryer nga ekipi mjekësor i EULEX-it. I pari ishte para një jave”, ka thënë shefi i misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.
Në disa raste përgjatë 15 ditëve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka konfirmuar se për Pantiq janë kryer të gjitha kontrollet e rregullta mjekësore, si dhe i janë siguruar medikamentet e nevojshme.
EULEX-i ka konfirmuar se po e shqyrtojnë mundësinë e ndihmës në transferimin e Pantiq në Prishtinë.
Një asistim të ngjashëm, EULEX ia bëri Policisë së Kosovës, në zëvendësimin e policëve që kishin rreth dy javë që po qëndronin në stacionin policor në Leposaviq.
Ata u zëvendësuan gjatë mbrëmjes së të shtunës.
E të dielën, në veri të Kosovës në përgjithësi ka qenë një situatë e qetë, me grupe të serbëve të cilët po vazhdojnë të qëndrojnë afër barrikadave, që kanë bllokuar rrugët që dërgojnë në Jarinje e Bërnjak, tash e 16 ditë.