Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka uruar qytetarët për Krishtlindje, e ka cituar thënien e e Jezus Krishtit.
Me anë të një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se derisa festohet lindja e Jezusit, të mos harrohet urdhërimi i tij i pavdekshëm.
“Bëjuni të tjerëve ashtu siç do të dëshironit që ata të bënin me ju”, është thënia e Jezus Krishtit, cituar nga Kurti në postimin e tij.
“Sot, ndërsa të krishterët në mbarë botën festojnë lindjen e Jezusit, le të mos harrojmë kurrë urdhërimin e tij të pavdekshëm. Në një kohë konflikti dhe pabarazie, le të kemi guximin të kërkojmë paqen dhe të përpiqemi për drejtësi, brenda dhe jashtë vendit”, shtoi më tej Kurti.
"Do unto others as you would have them do to you." Today, as Christians all over the world celebrate the birth of Jesus, let us never forget his immortal commandment. At a time of conflict and inequity, let us have the courage to seek peace & strive for justice, at home & abroad.
— Albin Kurti (@albinkurti) December 25, 2022
Ndryshe, Kurti ka vizituar fshatin Janjevë në ditën e Krishtlindjes, ku takoi famullitarin e kishës së Shën Kollit në Janjevë, Don Matej Paliq, si dhe ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë kësaj vizite, është diskutuar për historikun e komunitetit kroat në këtë fshat që është vizituar dhe nga Nëna Terezë në vitin 1981, e i cili njihet edhe për bashkëjetesën e shkëlqyer mes komuniteteve.
“Gjatë këtij takimi u diskutua dhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit për të kontribuar në zhvillimin e Janjevës, dhe në rritjen e mirëqenies së komunitetit kroat dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në Janjevë”, thuhet në njoftim.
Pas takimit, Kurti ka marrë pjesë dhe në meshën e mbajtur në kishën e Shën Kollit në Janjevë, ku takoi qytetarët e komunitetit kroat dhe shqiptar, dhe u uroi festën e Krishtlindjes.