Pas riemërimit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar anëtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi.
Me anë të një postimi në Facebook, Nushi ka thënë se Vitia është rikthyer për “të dështuar” sërish.
Me pak rreshta, Nushi e ka përshkruar rrugën e Vitisë si ministër, më pas si kandidat për të parin e kryeqytetit, që për të, Vitia “ka dështuar” në të dyja rastet.
“Arben Vitia ishte emëruar ministër për të bërë fushatë për kryetar komune. Dështoi si ministër, e dështoi edhe në fushatë. Ai ishte përgjegjës për hapjen e masave që shkaktuan mijëra të infektuar e dhjetëra të vdekur. Për këtë ka Kallëzim Penal. Më pas u emërua drejtor i spitalit privat, i cili u zhvillua shumë përderisa Vitia ishte ministër. Tash kthehet prapë për të dështuar prapë. Kaq për shëndetësinë publike”, ka shkruar Nushi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim që Arben Vitia të jetë përsëri ministër i Shëndetësisë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e kishte lënë këtë post për të garuar për të parin e kryeqytetit, ishte duke punuar në një ordinancë private.
Vitia i kishte humbur zgjedhjet për të parin e kryeqytetit në balotazh kundër kryetarit aktual, Përparim Rama.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitin, ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në komunikatën zyrtare nga Zyra e Kryeministrit.
Ndërkohë, pas dorëheqjes së Rifat Latifit nga Ministria e Shëndetësisë, ky post kishte mbetur pa ministër për plot 79 ditë.
Ky sektor është kritikuar më së shumti nga partitë opozitare, gazetarët dhe shoqëria civile.