Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, ka mirëpritur emërimin e Arben Vitisë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“E mirëpres lajmin për emërimin Arben Vitia si ministër të Shëndetësisë. Tani shëndetësia ka adresë politike”, ka shkruar Avdyli në Facebook.
Sipas tij, për sukseset në reformimin e sistemit e rritjen e cilësisë së shërbimeve, mbetet përgjegjësi e të gjitha hallkave e akterëve kudo që janë, qofshin menaxherë, OJQ, ekspertë, politikanë në pozitë, bile edhe atyre në opozitë.
“Si në të kaluarën, edhe tash, ne do jemi bashkë për të avancuar reformimin e sistemit tonë të brishtë shëndetësor”, ka vijuar ai.
Ndryshe, të hënën bëhen 79 ditë pasi ish-ministri Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Brenda këtyre shtatëdhjetë e nëntë ditëve, Lista Guxo kishte propozuar që Haxhi Avdyli të emërohej në këtë pozitë.
Kryetarja e Listës Guxo dhe njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kishte propozuar Haxhi Avdylin për ministër të Shëndetësisë.
“Unë mendoj që Partia Guxo ka një kandidat të shkëlqyer, mendoj që deputeti Haxhi Avdyli jo vetëm që do t;i shërbente këtij institucioni…Nëse kryeministri Kurti do të jetë dakord, unë do t’ia bëjë këtë propozim. Prandaj shprehjet e mendimit individual të deputetëve janë shumë të mirë se ardhura. Unë mendoj që Burim Meta e ka pasur në mendje Haxhi Avdylin. Mua, Haxhi Avdyli më duket se është kandidati më i mirë i mundshëm”, kishte deklaruar kryediplomatja Gërvalla.
Ndërkaq, të hënën e 26 dhjetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim që Arben Vitia të jetë përsëri ministër i Shëndetësisë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e kishte lënë këtë post për të garuar për të parin e kryeqytetit, ishte duke punuar në një ordinancë private.
Vitia i kishte humbur zgjedhjet për të parin e kryeqytetit në balotazh kundër kryetarit aktual, Përparim Rama.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka emëruar Arben Vitinë, ministër për Shëndetësi, të cilit i ka uruar suksese në plotësimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij”, thuhet në komunikatën zyrtare nga Zyra e Kryeministrit.
Arben Vitia rikthehet në pozitën e ministrit të Shëndetësisë