Kosova ende në pritje të veprimeve të KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri

Qeveria e Kosovës është ende në pritje të veprimeve të KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri të cilat u ngritën në shenjë proteste nga disa serbë lokalë, tash e 18 ditë

Pas një takimi të Këshillit të Sigurisë të Kosovës, të mbajtur të hënën, Qeveria e Kosovës është ende “në pritje të veprimeve nga KFOR-i” për heqjen e barrikadave në veri të vendit.

Kështu ka theksuar në njoftimin e saj zyra e kryeministrit, ku tregohet për mbajtjen e takimit të Këshillit të Sigurisë të Kosovës lidhur me situatën në veri.

Barrikadat u ngritën në shenjë proteste nga disa serbë lokalë pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq – i akuzuar për sulmin në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në komunikatën për media thuhet se gjatë këtyre 17 ditëve, Qeveria e Kosovës “ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in” dhe përsëritet se edhe pse “Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar”, qeveria është në pritje të KFOR-it.

“Gjatë këtij takimi u tha se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, thuhej më tutje në këtë komunikatë.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Të martën e 27 dhjetorit edhe një barrikadë më shumë u shtua në qytetin e Mitrovicës së Veriut.

Këtë për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Hoti ka bërë të ditur se kjo barrikadë është vendosur tek udhëkryqi afër shkollës teknike, në veri të Mitrovicës.

“Një barrikadë e re është vendosur mëngjesin e sotëm tek udhëkryqi afër shkollës teknike, në veri të Mitrovicës”, ka vijuar Hoti.

Kjo është barrikada e parë e vendosur në qytet, ndërsa e 12-ta prej datës 10 dhjetor kur serbët vendosën barrikadat e para në rrugët magjistrale atje.

Më 22 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nëse KFOR-i nuk vepron, Kosova do t’i heq barrikadat.

Në të njëjtën ditë, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave gjatë një proteste në Rudarë. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit gjithashtu thuhet se incidentet dhe sulmet ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it janë shkaktuar nga “strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë”.

Ndryshe sot shënon dita e 18-të qëkur në rrugët e veriut të Kosovës serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin, autoritetet në Kosovë thonë se i ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Që nga ajo ditë, forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.

Ndërkaq, që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.

Për t’u kujdesur për sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës, janë shtuar patrullime edhe nga ana e KFOR-it e EULEX-it.

Të njëjtat barrikada vazhdojnë të qëndrojnë ende të palëkundura përkundër thirrjeve ndërkombëtare që ato të hiqen menjëherë.

Sa kohë i dha Kurti KFOR-it për largimin e barrikadave, dhe a mund të largohen ato pa incidente?

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika