Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se gjatë vitit 2023 do të punësohen edhe 300 asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta në komuna të ndryshme.
Ajo theksoi se deri në gjysmën e mandatit, do të punësojnë rreth 500 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, derisa bëri të ditur se ka filluar edhe trajnimi i grupeve, që përgatisin kuadrot për të punuar si asistentë, shkruan RTK.
“Do t’i kemi rreth 500 asistentë deri në gjysmën e mandatit, duke përmbushur kështu zotimin e programit qeverisës për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës. Deri në fund të vitit 2023 do t’i kemi 500 asistentë në institucionet tona edukative e arsimore. Përtej planifikimit në buxhet, kemi filluar edhe me trajnimin e grupeve, që përgatisin kuadrot për të punuar si asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta”.
“Është një program për nivelin e pestë, sepse nuk kemi pasur kaq kuadro të kualifikuara. Kemi filluar edhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar, i kemi kushtuar vëmendje edhe në qendrat tona burimore”, ka thënë Nagavci.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, ka theksuar se ligjërisht është e përcaktuar që asistentët duhet të jenë të certifikuar, derisa shpreson që numri i asistentëve që do të punësohen nëpër shkolla të jetë proporcional me numrin e fëmijëve.
“Nuk guxojmë që të anashkalojmë asnjë nxënës për shkak të një neglizhence institucionale të një komune për të mos rekrutuar asistentë, por të rekrutojë një zyrtar komune. Kjo nuk duhet të ndodhë më. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që këta asistentë të kenë një kompetencë të mjaftueshme profesionale, e kjo nënkupton trajnime të mirëfillta, por edhe kushte në vendin e punës, që të sigurohet se gjithëpërfshirja në klasë po ndodh dhe mësimdhënia po ofrohet në mënyrë cilësore”, është shprehur Qehaja.
Ndërkohë, gjatë vitit 2022, janë punësuar 100 asistentë për të asistuar te fëmijët me nevoja të veçanta në institucionet shkollore të komunave të ndryshme.
Ministria e Arsimit ishte shprehur se ky numër nuk i plotëson të gjitha nevojat që janë në sistem, por ka planifikuar që trendi i punësimeve të tilla të vazhdojë, për të përmirësuar mekanizmin e përkrahjes për nxënësit me nevoja të veçanta.
Ndërkaq, edhe qendrat për socializimin e personave me nevoja të veçanta kanë bërë thirrje për shtim të numrit të asistentëve.