Petkoviq: Vendosja e ushtrisë në nivel të lartë të gatishmërisë luftarake është përgjigje ndaj kërcënimit të luftës

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, “po bën gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”

Petar Petkoviq

Drejtori i së ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ka thënë se vendosja e njësive të ushtrisë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake është një “përgjigje ndaj kërcënimit të menjëhershëm të luftës”, dhe asaj që po bën Kosova për të “kryer një sulm” në veri të Kosovës.

Ai ka theksuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, “po bën gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”.

“Duke pasur parasysh se Kosova e ngriti gatishmërinë luftarake të forcave të sigurisë së Kosovës në nivelin më të lartë, duke i përgatitur ato njësi, tyta të gjata dhe automjete të blinduara për të sulmuar popullin serb në veri të Kosovës me qëllim që të sulmojnë gratë, pleqtë tanë, fëmijët, burrat, njerëzit tanë që vetëm në barrikada mbrojnë të drejtën e jetës së zhveshur”, ka thënë Petkoviq, për RTS.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka urdhëruar që ushtria dhe të gjitha njësitë ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, në mbrëmjen e 26 dhjetorit, ka thënë se Vuçiq ka urdhëruar që “Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, gjegjësisht gatishmërisë deri në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”.

Sipas tij, rritja në nivelin më të lartë të veprimit nga ushtria serbe bëhet për të “mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, duke parandaluar terrorizmin dhe terrorin ndaj serbëve kudo që jetojnë”.

“Nuk ka arsye për panik, por ka arsye për shqetësim, sepse duket se Serbia është e vetmja palë e interesuar për të biseduar, për marrëveshje politike, për t’u takuar qoftë edhe një mijë herë derisa të gjendet ndonjë marrëveshje”.

“Pala tjetër është duke bërë vazhdimisht lëvizje të njëanshme, ngrit tensione dhe vazhdimisht çon në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, që për mendimin tim, ka një synim të qartë për pastrim të plotë etnik të Kosovës”, është shprehur Vuçeviq.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, në një postim në rrjetin social, Instagram, më 26 dhjetor tha se “do t’i marrë të gjitha masat për të mbrojtur popullin serb në veri të Kosovës”.

“Ne po bëjmë çmos për të ruajtur paqen dhe stabilitetin. Fatkeqësisht, ata nuk donin të na dëgjonin ose nuk u interesuan të na dëgjonin. Sot edhe patriarkut Porfirije i ndalohet hyrja në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur kurrë në histori”, tha ai.

Për 18 ditë me radhë, rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën me Serbinë, janë të bllokuara nga barrikadat e ngritur nga disa serbë lokalë.

Serbët ngritën barrikadat pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i cili, sipas autoriteteve të Kosovës, dyshohet për organizimin e një sulmi ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka diskutuar më 26 dhjetor për situatën e krijuar në veriun e vendit, të banuar me shumicë serbe. Qeveria tha se është në komunikim të vazhdueshëm me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe po pret që ata të veprojnë, duke theksuar që Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet për të hequr barrikadat.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika