Intervistë me vajzën e dëshmorit nga Krusha e Vogël që mori rrugën drejt gurbetit

Gjatë vitit që lamë pas, trendi i ikjes së të rinjve drejt vendeve evropiane ishte në rritje. Vajza e dëshmorit nga Krusha e Vogël, Erza Shehu, në një intervistë për Portali Dukagjini, ka rrëfyer se sa e vështirë ishte që për arsye ekonomike të detyrohej ta braktiste Kosovën, vendin për të cilin u flijuan familjarët e saj

Erza Shehu

“Unë bija jote, Kosovë! I doja ëndrrat te ti. Në vendin ku i dhashë të gjithë, babain, gjyshin, xhaxhain, tashmë po nis një fillim të ri në gurbet, shkollim e punësim në vend të huaj”.

Kështu fillon postimi i Erza Shehut, vajza e dëshmorit të luftës nga Krusha e Vogël e Prizrenit, e cila ka humbur afro 39 familjarë gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkaq, Erza Shehu ka dy muaj që ka lënë vendin.

Mes rreshtave të postimi të saj, vërehet se edhe ajo është njëra nga të rinjtë që si pasojë e krizës ekonomike, por edhe si shenjë e pakënaqësisë me sistemin e shkollimit, ikin nga Kosova drejt një vendi të huaj.

Shehu në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka treguar se sa e vështirë ka qenë për të si studente e dalluar në Fakultetin Juridik të marrë vendimin që të udhëtojë drejt Gjermanisë.

Nga ëndrra që të bëhet avokate në Kosovë, Shehu u bë një vajzë që vendit i iku nga duart.

“Arsyeja që më ka shtyrë të marrë këtë vendim ka qenë papunësia dhe të ardhurat e ulëta që mbizotërojnë në Kosovë”, ka thënë Shehu.

Ajo, ndër të tjera, është shprehur shumë e mërzitur që është dashur ta lërë vendin e saj, pikërisht në atë vend, për të cilin, ka humbur familjarët.

“Është shumë e vështirë ta lësh vendin, sidomos në këtë familje e cila të gjithë meshkujt e familjes i ka humbur gjatë luftës së fundit ne Kosovë, si babain, xhaxhain, gjyshin, e familjarë nga rrethi i ngushtë, e të ngritesh, të studiosh e të punosh dhe të mbash familje është shumë vështirë, edhe duke mos pasur ndihmesë nga vetë shteti me një page ekstrem të ulët”, ka vijuar ajo.

Shehu ka një lutje për Qeverinë, që të bëjë një ndryshim për rininë e Kosovës, pasi sipas saj, kjo rini po u ikën nga duart.

Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë.

Dukagjini: Cila është arsyeja që ju ka shtyrë të largoheni nga Kosova?

Shehu: Arsyeja e cila më ka shtyre të lë Kosovën ka qenë papunësia dhe rrogat e ulëta të cilat mbizotërojnë në vendin tonë.

Dukagjini: Keni humbur familjarë gjatë luftës, a nuk ka qenë ky vend i mjaftueshëm për t’ju përmbushur si një studente e dalluar e Juridikut?

Shehu: Unë e kam humbur Babain, Gjyshin, Xhaxhain, ndërsa familjarë nga rrethi i ngushtë kam humbur gjithsej 39. Kam qenë e zonja në fushën time të studimeve, por kushtet jo të mira më sollën në rrugët e gurbetit.

Dukagjini: Si pjesëtare e një familje dëshmorësh a është e dhimbshme të lihet vendi, a nuk keni parë ndonjë perspektivë në këtë vend?

Shehu: Unë jam pasardhese e vetme e familjes dhe ka qenë vendim shumë i vështirë për t’u marrë, por duke parë që gjërat nuk po shkojnë asgjëkundi mendova se ky është vendimi më i drejtë.

Dukagjini: Cilat kanë qenë ëndrrat e tua në Kosovë?

Shehu: Kam pasur shumë ëndrra në Kosovë, të isha një avokate e zonja dhe pse jo të vazhdoja studimet e masterit dhe jurispudencës.

Dukagjini: Çka do të vazhdoni të studioni në Gjermani?

Shehu: Do të vazhdoj të studioj për drejtimin të cilin e fillova në Kosovë, besoj që shumë shpejt do të regjistrohem edhe në fakultet këto muaj deri sa të ambientohem pak.

Dukagjini: Cilat janë mesazhet e tua për të rinjtë, të cilët nuk shohin ndonjë infrastrukturë ekonomike në Kosovë dhe duan ta lënë vendin?

Shehu: E lus Qeverinë e Kosovës të bëjë një ndryshim, përndryshe rinia po u ik nga duart.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika