Policia e Kosovës ka njoftuar se e dyshuara për vrasjen e të moshuarës në Dragash, e ka pranuar se e ka kryer vrasjen e 67-vjeçares.
Sipas Policisë, ajo këtë veprim e ka bërë duke përdorur mjete të ndryshme të forta, të cilat më pas i ka fshehur.
“Pas ballafaqimit me prova të reja, e dyshuara në prezencën e avokatit mbrojtës e ka pranuar se ka kryer vrasjen. Këtë veprim e ka bërë duke përdorur mjete të ndryshme të forta, të cilat më pas i ka fshehur. Nga njësitet e forenzikës janë sekuestruar prova të reja. Me urdhër të Prokurorit te rastit, e dyshuara ndalet në ndalim policor për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, vepra penale e kryer nga e dyshuara është riklasifikuar si “Vrasje e rëndë”.
Kësisoj, lidhur me këtë rast, Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, ka thënë se do të ndërmarrin të gjitha veprimet e mëtutjeshme të nevojshme.
“Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren do të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtutjeshme të nevojshme në bashkëveprim me prokurorin e rastit”, përfundohet në njoftimi i Policisë së Kosovës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të martën se e ka arrestuar të dyshuaren për vdekjen e 67-vjeçares në fshatin Kuk të Dragashit.
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar opinionin se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, kanë siguruar prova, të cilat vërtetojnë se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë me mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, gjë që kanë dërguar në vdekjen e viktimës.