Forcat ukrainase raportohet se janë afër rimarrjes së qytetit të kontrolluar nga Rusia, Kreminna, në provincën Luhansk, derisa luftimet e ashpra vazhduan në lindje dhe në jug të vendit.
Guvernatori rajonal i Luhanskut, Serhiy Haidai, ka thënë se luftëtarët në një pjesë të qytetit të kontrolluar nga komanda ruse u detyruan të tërhiqen në Rubizhne, një qytet disa milje në juglindje, si rezultat i presionit ushtarak ukrainas.
“Rusët e kuptojnë se nëse humbasin Kreminën, e gjithë linja e tyre e mbrojtjes do të bjerë. Trupat pushtuese ruse arritën të ndërtonin një mbrojtje shumë të fuqishme brenda një muaji, madje edhe pak më shumë. Ata po sjellin atje një sasi të madhe rezervash dhe pajisjesh. Ata vazhdimisht rinovojnë forcat e tyre”, ka shkruar Haidai në aplikacionin e mesazheve Telegram, të martën.
Ripushtimi i Kreminës dhe Svatoves, mund t’ia hapë rrugën Kievit për të nisur një ofensivë në Sievierodonetsk dhe Lysychansk, dy qytete që Ukraina i humbi gjatë verës.
Të hënën vonë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Kievi duhet t’i pranojë kërkesat e Moskës për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” ose të pësojë disfatë në fushën e betejës.
Deklaratat e Lavrov tregojnë se Kremlini nuk ka ndërmend të zbresë nga qëllimet e tij maksimaliste për ndryshimin e regjimit në Ukrainë, pavarësisht pretendimeve të Vladimir Putin, të dielën, se Rusia ishte gati për bisedime për t’i dhënë fund luftës.
Në konferencën e saj të përditshme ushtarake të martën, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se trupat ruse vazhduan të fokusojnë përpjekjet e tyre në marrjen e qytetit Bakhmut në rajonin e Donetsk.
Ushtarët rusë, së bashku me luftëtarët nga grupi ushtarak privat Wagner, janë përpjekur të kapin Bakhmutin që nga korriku, pasi arritën në periferi të qytetit.
Bakhmuti është shkatërruar në masë të madhe, pas gati pesë muajsh luftime, duke iu referuar të dyja palëve si “Mulliri i mishit Bakhmut”.
Beteja për Bakhmut shihet si një provë e rëndësishme për kreun e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, i cili besohet se ka rekrutuar mijëra të dënuar rusë për të ndihmuar në sulmin e qytetit. Prigozhin ka kritikuar më parë Ministrinë ruse të Mbrojtjes për performancën e saj në Ukrainë, dhe e ka lavdëruar Wagnerin si forcën luftarake më të aftë të vendit.
Në një video të publikuar të hënën, e cila supozohet se është filmuar pranë Bakhmutit, ku do të nxisë më tej spekulimet mbi tensionet brenda forcave ruse, dy ushtarë të dukshëm të Wagner shihen duke fyer shefin e shtabit të përgjithshëm, Valery Gerasimov.
“Ti je djalli i mallkuar. Nuk kemi me çfarë të luftojmë, nuk kemi predha”, dëgjohet duke thënë një nga burrat, raporton The Guardian.
Të enjten e kaluar, Ukraina pretendoi se Rusia kishte “zhvendosur” disa nga avionët e saj larg fushës ajrore Engels, për të cilën, Moska tha se ishte goditur nga një dron ukrainas një ditë më parë, duke rezultuar në vdekjen e tre ushtarakëve rusë.
Që nga fillimi i luftës, një numër objektivash ushtarake, përfshirë depot e naftës dhe armëve, janë dëmtuar pasi ka rënë zjarri. Kievi nuk pranon publikisht sulmet brenda Rusisë, por më parë ka brohoritur incidente të tilla si shpagim.
Gjithashtu të martën, Putin përfundoi “samitin joformal” të tij dyditor në Shën Petersburg, me krerët e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, një grup i udhëhequr nga Moska, i përbërë nga ish-shtetet sovjetike, duke u dhuruar tetë udhëheqësve unaza ari.
Takimi erdhi pas shqetësimit në rritje midis presidentit rus dhe pjesës tjetër të bllokut të CIS, pasi kombet kanë kërkuar të distancohen nga lufta e lëkundur e Moskës.