Të paktën 100 iranianë të arrestuar gjatë 100 ditëve të protestave mbarëkombëtare, po përballen me akuza të dënueshme me vdekje, ka thënë grupi i Iranit për të Drejtat e Njeriut (IHR), me qendër në Oslo.
Protestat kanë pushtuar Iranin që nga shtatori, pasi një grua iraniano-kurde, Mahsa Amini, vdiq në paraburgim pas arrestimit të saj në Teheran, për një shkelje të dyshuar të kodit të rreptë të veshjes.
Në fillim të këtij muaji, Irani ekzekutoi dy burra në lidhje me protestat, një përshkallëzim në shtypjen e autoriteteve që aktivistët thonë se ka për qëllim të ngjallë frikën e publikut.
Në një raport të lëshuar të martën, IHR identifikoi 100 të burgosur, të cilët po përballen me dënim të mundshëm me vdekje, duke përfshirë të paktën 11 të dënuar tashmë me vdekje. Pesë të arrestuarit në listën e IHR, janë gra.
Raporti ka thënë se shumë prej tyre kishin akses të kufizuar në përfaqësimin ligjor, raporton The Guardian.
“Duke dhënë dënime me vdekje dhe ekzekutuar disa prej tyre, autoritetet duan t’i bëjnë njerëzit të shkojnë në shtëpi,” ka thënë drejtori i IHR, Mahmood Amiry-Moghaddam.
“Ka njëfarë efekti, por ajo që ne kemi vërejtur në përgjithësi është më shumë zemërim kundër autoriteteve. Strategjia e tyre për të përhapur frikën përmes ekzekutimeve ka dështuar”.
Në një numër të përditësuar të vdekjeve të lëshuar të martën, IHR tha se 476 protestues ishin vrarë që nga fillimi i demonstratave. Organi më i lartë i sigurisë i Iranit, në fillim të dhjetorit dha një numër prej më shumë se 200 njerëz të vrarë, duke përfshirë oficerë sigurie.
Të paktën 14 mijë njerëz ishin arrestuar që nga fillimi i trazirave mbarëkombëtare, tha OKB në nëntor.
Majidreza Rahnavard, 23 vjeç, u var në publik nga një vinç më 12 dhjetor, pasi u dënua nga një gjykatë në Mashhad, për vrasjen e dy anëtarëve të forcave të sigurisë me thikë.
Katër ditë më parë, Mohsen Shekari, gjithashtu 23 vjeç, ishte ekzekutuar për plagosjen e një pjesëtari të forcave të sigurisë.
Gjyqësori ka thënë se nëntë të tjerë janë dënuar me vdekje për shkak të protestave, prej të cilëve, dy personave u është lejuar rigjykimi.
Babai i të dënuarit me vdekje, Mohammad Ghodablou, ka lëshuar një lutje në mediat sociale, duke bërë thirrje për lirimin e djalit të tij, duke thënë se “ai bëri një gabim të madh”.
“Mohamedi deri më tani nuk ka pasur precedentë penalë,” ka thënë babai në një video të shpërndarë këtë javë, duke shtuar se ai vuante nga një çrregullim mendor.
Ghodablou, 22 vjeç, u akuzua në Teheran për “korrupsion në tokë” për “sulmimin e policisë me një makinë, e cila rezultoi në vdekjen e një oficeri dhe plagosjen e pesë të tjerëve”.
Faqja e internetit e lajmeve, Mizan Online, ka raportuar të hënën se Ghodablou i ishte nënshtruar një vlerësimi psikiatrik që arriti në përfundimin se ai “ishte në dijeni të natyrës së krimit të tij”.
Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me bazë në SHBA, vuri në dukje në një raport të lëshuar të hënën, se Irani kishte parë një rritje prej 88 për qind të ekzekutimeve në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, dhe një rritje prej 8 për qind të dënimeve me vdekje, shumica dërrmuese e tyre për vrasje ose drogë.
Sipas Amnesty International, Irani është i dyti vetëm pas Kinës, në përdorimin e dënimit me vdekje, me të paktën 314 persona të ekzekutuar në vitin 2021.