Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se për barrikadat në veri të Kosovës është në koordinimin me KFOR-in, duke i dhënë hapësirën dhe kohën e nevojshme që të veprojë për largimin e tyre.
Kurti ka theksuar se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë, edhe barrikadat në rrugë, të cilat pengojnë këtë lëvizje, duke theksuar se këto barrikada nuk mund të tolerohen gjatë.
“Vendosja e barrikadave është veprim i papranueshëm dhe i palejueshëm. I kemi dhënë KFOR-it kohën e duhur për të vepruar, prandaj kjo kohë e hapësirë e nevojshme që i është dhënë KFOR-it. Nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë, edhe barrikadat në rrugë që pengojnë këtë lëvizje”, ka deklaruar Kurti.
Ndër të tjera, shefi i ekzekutivit për situatën në veri ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do të bashkëpunojnë me kriminelët, por do t’i arrestojnë ata.
“Strukturat kriminale të Serbisë kanë sfiduar organet e zbatimit të ligjit, këta kriminelë të sanksionuar nga BE dhe Britania e Madhe po mbështeten nga Serbia për destabilizimin e Kosovës”, ka vijuar Kurti.
Ndërkaq, Kurti vitin 2022 e ka cilësuar vit të arritjes, zhvillimit dhe përmirësimit, por edhe të sfidave.
Kurti ka thënë se gjatë këtij viti, Kosova është përballur edhe me krizë energjetike e inflacionin, kështu duke përmendur pakot për ringjallje ekonomike e subvencionim të faturave të energjisë elektrike, të cilat janë ndarë nga Qeveria për mbështetje të qytetarëve.