Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është parë nga gazetarët e terrenit të RTV Dukagjini, në pikën kufitare në Merdar, mesditën e së mërkurës së 28 dhjetorit.
Ai ka folur para mediave duke u shprehur i shqetësuar për situatën aktuale në vend dhe për pengimin që u është bërë bashkatdhetarëve me mbylljen e pikës kufitare në Merdar.
Bulliqi u shpreh se shpreson shumë që faktorët ndëkombëtarë sa më shpejt të ndërmarrin veprime konkrete dhe të krijojnë mundësinë e lëvizjes së lirë në gjitha pikat ku ka bllokime.
“Besoj që krejt këto veprime të orkestruara me qëllim të çrregullimit të gjendjes në rajon, prandaj unë besoj dhe shpresoj shumë që faktori ndëkrombëtar do të marrë veprime konkrete dhe iniciativa konkrete që sa më shpejt të krijohen kushte për lëvizjen e lirë të qytetarëve”, ka thënë Bulliqi.
Ndërsa, ai ka shtuar se është shkelje flagrante fakti se po pengohet lëvizja e lirë e qytetarëve, duke theksuar se një gjë e tillë pritet nga një shtet si Serbia.
“Një gjendje të cilën jemi duke e përcjellë me shqetësim për arsye se në këtë periudhë kohore të bëhet pengimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, mendoj se është një prej shkeljeve flagrante të të drejtave të njerëzve për të lëvizur lirë në gjithë hapësirat, por në një shtet çfarë është Serbia priten edhe këto gjëra”, u shpreh Bulliqi.
Ndërkaq, për bashkatdhetarët ai apeloi që t’i shfrytëzojnë rrugët alternative në mënyrë që të mos bien pre e provokimeve serbe.
“Është një situatë bukur e komplikuar në veçanti për numrin e madh të bashkatdhetarëve tanë, të cilët e frekuentojnë këtë arterie rrugore. Shpresojmë që kjo situatë që është krijuar të tejkalohet sa më shpejt që është e mundur, dhe bashkatdhetarëve tanë u rekomandoj që të kërkojnë dhe t’i shfrytëzojnë rrugët e tjera alternative në mënyrë që të mos bien pre e këtyre provokimeve”, ka thënë Bulliqi.
Kjo pikë kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, po vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim, kështu ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se bllokimi i rrugës është bërë në kilometrin e dytë në territorin e Serbisë nga pika kufitare “Merdare”, e cila për shkak të kësaj bllokade, është mbyllur për qarkullim.
“Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare ‘Jarinje’, ‘Bernjak’ dhe ‘Merdare’, deri në njoftimin e radhës”, thuhet në komunikatën për media nga policia.
Ndryshe, mbrëmjen e 27 dhjetorit, Ministria e Jashtme, për bllokimin e kufirit në Merdar, ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata të diasporës, që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për të arritur në Kosovë.