Gjyqtari që liroi Pantiqin, të martën u emërua nënkryetar i Gjykatës në Prishtinë

Një ditë pas emërimit si nënkryetar i Gjykatës në Prishtinë, gjyqtari i Mentor Bajraktari, të mërkurën e ka aprovuar kërkesën për zëvendësimin e masës së paraburgimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, me masën e arrestit shtëpiak. RTV Dukagjini ka siguruar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me këtë çështje

Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjyqtari Mentor Bajraktari, i cili vendosi për lirimin e Dejan Pantiqit nga paraburgimi, është emëruar të martën nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gjyqtari i procedurës paraprake Mentor Bajraktari, me zyrtaren ligjore të kësaj gjykate Mirjetë Demiri, në çështjen penale ndaj të pandehurit, Dejan Pantiq, nga Mitrovica e Veriut, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, “Kryerja e veprës terroriste”, ka aprovuar aktvendimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e Arrestit Shtëpiak.

Sipas këtij aktvendimi të siguruar nga RTV Dukagjini, i pandehuri nuk guxon të largohet nga adresa ku ai e ka vendbanimin dhe i kufizohet kontakt me personat me të cilët ai nuk jeton apo të cilët nuk janë të varur nga i pandehuri.

“Zëvendësohet masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak nga data 28 dhjetor 2022 si masë me e butë, ashtu që: MASA E ARRESTIT SHTËPIAK zgjatë deri më datën nëntë janar 2023”, thuhet në aktvendim.

Avokati i Dejan Pantiqit, Nebojsha Vllaiq, ka konfirmuar se klientit të tij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

“Policia e Kosovës është e obliguar që të transferojë Pantiqin në adresën ku ai jeton”, tha ai.

Pantiq, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.

Pas pranimit të këtij aktvendimi, Policia e Kosovës, urdhërohet të shkojë që ta merr të pandehurin nga SPMK në Jarinjë dhe ta dërgojnë në shtëpinë e tij.

“DETYROHET STACIONI POLICOR NË MITROVICËN E VERIUT, që të bëjnë mbikëqyrjen dhe ta verifikojnë zbatimin e kësaj mase nga ana e të pandehurit dhe në rast të mosrespektimit të saj, të informojnë gjyqtarin e procedurës paraprake”, vijon aktvendimi.

Kohën e verifikimit të zbatimit të masës së arrestit shtëpiak, e caktojnë personat kompetent në këtë Stacion Policore.

Ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e ndalon ekzekutimin e aktvendimit.

“Me aktvendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të kësaj gjykate PPPS.nr.63/22, të datës 12.12.2022, ndaj të pandehurit Dejan Pantiq, është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, e cila kishte për të zgjatur deri me datën 09.01.2023, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje nga neni 129 par.1 lidhur me nenin 128 par.1 nënpar. 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.

Dy faqet e para të dokumentit të siguruar nga RTV Dukagjini

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Prokurori i shtetit Afrim Shefkiu, më 28 nëntor 2022, pranë kësaj gjykate ka parashtruar propozimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Dejan Pantiq me arsyetimin se janë duke u zhvilluar hetimet ndaj te pandehurit.

“Dejan Panticq, i cili ne bashkëveprim me personat te tjerë janë duke u hetuar, për shkak te veprës penale te cekur si me larte, këtë drejtim prokurorisë i nevojitet kohe për përfundimin e suksesshëm hetimeve ne këtë çështje penalo-juridike, andaj edhe konsiderojmë se akoma ekzistojnë arsyet ligjore që i pandehuri Detan Pantic, t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak si ne kuptim te nenit 183 par.l nenpar.1.1 e 1.2 lidhur me nenin 187 par. Inënpar.1.2 pikat 1.2.1, 1.2.2 e 1.2.3 KPPK-së”.

Në aktvendim tutje thuhet se ekziston frika e bazuar se po qe se i pandehuri Dejan Pantiq po të mbrohet në liri mund të arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale para se cilës ndodhet, dhe në këtë mënyrë do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë.

Dy faqet e parafundit të dokumentit të siguruar nga RTV Dukagjini

“I pandehuri do ti asgjësojnë, fshehin ndryshojnë ose falsifikoje provat e veprës penale, ose do pengojnë rrjedhën normale te hetimeve, e veçmas mund te ndikojë tek bashkë kryesit e tjerë e qe veprimet e tij janë ne lidhje kauzale ne mes veti si dhe mund te ndikojë ne dëshmitare dhe persona te tjerë e policia është duke punuar ne identifikimin e tyre”.

“Ekziston rreziku i përsëritjes se veprës penale, duke marre për baze peshën eveprës penale për te cilën është parapare dënimi me burg jo me pak se 5 vite, rrethanat ne te cilat i njëjti ka vepruar, e duke marrë për bazë edhe karakteristikat e tij personale, e veçmas rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale duke rrezikuar dhe destabilizuar strukturat themelore politike të Republikës së Kosovës me rastin e pjesëmarrjes ne sulm terrorist të pashkruar si me lartë si dhe rrezikun se i njëjti mund të përsërisë veprimet inkriminuese të veprës penale”.

Tutje në arsyetim thuhet se duke marrë për bazë gjendjen shëndetësore të të pandehurit e bazuar ne raportet mjekësore të EULEX-it, duke respektuar të drejtat e njeriut për të pandehurit për shkak të gjendjes në të cilat mbahet i pandehuri në paraburgim, e duke marrë për bazë nevojën për të iu nënshtruar kontrolleve mjekësore sipas rekomandimeve të mjekeve, “propozojmë që ndaj të njëjtit masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak”.

Ndër të tjera thuhet se po ashtu kjo prokurori para se të përcaktohet për propozimin e zëvendësimit të masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit Dejan Pantiq, dhe në këtë fazë ka vlerësuar masat e tjera alternative më të buta nga neni 173 të KPPK-së mirëpo ka ardhur në përfundim se duke marrë për bazë peshën e veprës dhe ne rrethanat në të cilën i njëjti ka vepruara asnjëra nga masat e tjera nuk do të jete e mjaftueshme me qëllim të përfundimit të suksesshëm të hetimeve në këtë çështje penale juridike.

“Andaj, duke marrë për bazë se të lartpërmendurat konform nenit 183 par.1 të KPP- së, ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të pandehurit, të zëvendësoj masën e Paraburgimit me masën më të butë dhe atë të Arrestit shtëpiak”.

“Gjyqtari i procedures paraprake pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, propozimit me shkrim të Prokurorit të Shtetit nga PSRK, ka vlerësuar se propozimi për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit është i bazuar, ngase ka vlerësuar se edhe me masën e arrestit shtëpiak do të sigurohet prezenca e të pandehurit në procedurë dhe nuk do të dëmtohet zbatimi me sukses dhe i rregullt i procedurës penale, prandaj zëvendësimi i masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak është i arsyeshëm sepse edhe me këtë masë do të arrihet që të sigurohet prezenca e të pandehurit në procedurë”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas raportimit se ish-policit serb, Dejan Pantiq, i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak, është shprehur kureshtar se cili prokuror e ka shtruar këtë kërkesë dhe cili gjyqtar e ka aprovuar atë.

Kështu ka thënë ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

“Kur kemi akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak, jam kureshtar se cili është ai prokuror që e bën kërkesë dhe cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, është shprehur Kurti.

“Nuk e di çështjen gjyqësore procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinjë për shkak se nuk mund të dënohej në burg zyrtar në qëndrim të paraburgimit, por njëkohësisht është i pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë kam dëgjuar është se meqë ishte në grevë të urisë, dhe kishte probleme me zemër do të mund të dërgohej në spital që është e kuptueshme, a është e arsyeshme e vendos gjyqësori”, shtoi Kurti.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika