Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shprehur shqetësim pas fjalëve të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se është kureshtar të dijë emrin e gjyqtarit dhe emrin e prokurorit që morën vendimin për ish-policin Dejan Pantiq të mërkurën e 28 dhjetorit.
Pantiqit, që dyshohet për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në veri, i është ndryshuar masa nga paraburgimi, në arrest shtëpiak të mërkurën e 28 dhjetorit nga një vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë me propozim të Prokurorisë Speciale.
KGJK-ja për këtë ka thënë se gjyqtarët duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, ndërsa për tendencat e kryeministrit për ndërhyrje ka thënë se janë të papranueshme.
“Rikujtojmë Kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm”, shkruhet në njoftimin e KGJK-së.
Ndërsa, KGJK ka informuar Kurtin se personi zyrtar kompetent që ka marrë vendimin quhet gjyqtar i Republikës së Kosovës.
“Sa i përket pyetjes së kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marrë këtë vendim quhet gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, thuhet në reagimin e KGJK-së.