KFOR-i ka reaguar lidhur me vizitën e ministrit serb të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, në bazën ushtarake serbe në Rashkës.
KFOR-i ka thënë se Forcat e Armatosura serbe nuk kanë nevojë për autorizimin e tyre për të lëvizur në territorin serb.
“Pas raportimeve se ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, disa ditë më parë vizituan njësitë e Forcave të Armatosura të Serbisë të dislokuara në zonën e Rashkës, rreth 2 kilometra nga vija kufitare administrative me Kosovën, është e dobishme të kujtojmë se Forcat e Armatosura Serbe nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i për të lëvizur dhe stërvitur në territorin serb”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i ka shtuar se në përputhje me marrëveshjet ekzistuese, nga SAF kërkohet të informojnë shtabin e KFOR-it vetëm në rast se disa nga njësitë e tyre duhet të shkojnë më afër se 1 mijë metra nga vija kufitare administrative (ABL) me Kosovën.
“Informacioni duhet t’i jepet KFOR-it nga Komisioni i Përbashkët Zbatues, misioni i të cilit është të lehtësojë komunikimin dhe mirëkuptimin ndërmjet komandantit të KFOR-it dhe Forcave të Sigurisë Serbe”, thuhet tutje në reagimin e tyre.
Ndërkaq, KFOR-i ka thënë se sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), vendosja e tyre, sipas marrëveshjeve ekzistuese, kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it për të shkuar në veri të Kosovës.
“KFOR-i, në përputhje me mandatin e tij, mund të angazhohet me përfaqësues legjitimë të komunitetit lokal në veri të Kosovës si pjesë e këtij procesi të pajtimit”.
Në reagimin e tyre, KFOR-i ka përkujtuar se të gjitha palët kanë respektuar gjithmonë marrëveshjet ekzistuese dhe ka bërë thirrje që të vazhdojnë ta bëjnë këtë.