Prokuroria Speciale e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë të ditur arsyet se pse e kanë ndërruar masën e sigurisë për ish-policin e Kosovës, Dejan Pantiq.
Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se meqë Pantiq s’ka mundur të dërgohet në paraburgim siç kërkohet me ligj, dhe meqë EULEX-i ka konstatuar gjendjen jo të mirë të tij, atëherë bazuar në aspektin shëndetësor dhe human kanë propozuar që ai të lirohet në arrest shtëpiak.
“Edhe pse kundër të pandehurit ka ekzistuar vendim për caktim të paraburgimit, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, i njëjti asnjëherë nuk u dërgua në paraburgim ashtu siç kërkohet me ligj. Pas vizitave të ekipeve mjekësore të Eulex-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Prokuroria Speciale e Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, thuhet tutje në njoftim.
Ky reagim i Prokurorisë Speciale ka ardhur pas qëndrimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ku ka thënë se është kureshtar ta mësojë se kush është Prokurori që ka propozuar ndryshimin e masës, dhe kush është gjyqtari që e ka aprovuar.