Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se i kupton brengat e serbëve të Kosovës, por sipas tij është koha të largohen barrikadat e vendosura në komunat veriore të Kosovës.
“Sa i përket barrikadave, ato janë padyshim një problem. E parë nga këndvështrimi i komunitetit serb, kjo është një protestë për shumë prej tyre. Dua të them se e kuptuam pse e bënë dhe se i dëgjuam, por mendoj se ka ardhur koha që njerëzit që i vendosën ato barrikada t’i heqin”, ka thënë ai.
Në një intervistë për mediumin “Nova”, Hill tha se kriza në veri mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut Kosov-Serbi
“Kjo çështje kërkon zgjidhje politike. Zgjidhja politike mund të gjendet përmes procesit të dialogut dhe ky është fokusi ynë. Duhet të arrijmë deri në atë pikë që të qetësojmë situatën dhe të merremi me çështjet politike që duhet të zgjidhen. Kjo është diçka që të gjithë po përpiqen ta bëjnë dhe shpresoj se do të kemi sukses në këtë”, ka thënë ai.
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, sipas ambasadorit amerikan duhet të themelohet sa më parë.
“Bashkimi i komunave serbe tashmë është rënë dakord dhe është obligim. Tani kemi të bëjmë me pyetjen se si ta zbatojmë atë. Dhe nuk mendoj se është vetëm e drejtë të formohet, por mendoj se është logjike. Mendoj se logjika është mekanizmi më i fuqishëm”, ka thënë ai.
Në pyetjen nëse është reale që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet vitin e ardhshëm, Hill thotë se nuk e di se çfarë do të ndodhë.
“Është e qartë se është në dorën e përfaqësuesve të autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë, por varet edhe nga negociatorët dhe si do të trajtohen çështjet. Do të doja të shihja një marrëveshje ku asnjëra palë nuk detyrohet, por ku të dyja palët të shohin logjikën e saj. Unë do të doja të shihja një marrëveshje që është arritur në kontekstin e arritjes së marrëdhënieve shumë më të mira dypalëshe, por edhe të marrëdhënieve rajonale”, ka thënë Hill.