Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka falënderuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe serbët e Kosovës, siç është shprehur ajo, për “përkushtimin e tyre për paqe”.
“Faleminderit shumë Vuçiqit dhe serbëve nga Kosova që gjetën forcën për t’iu përgjigjur terrorit dhe agresionit brutal me durim pothuajse të pakufishëm me përkushtim ndaj paqes dhe dialogut me të gjithë ata që në çfarëdo mënyre mund të kontribuojnë në ruajtjen e paqes”, ka shkruar Bërnabiq në Twitter.
Ndër të tjera ajo ka falënderuar edhe ndërkombëtarët që ndihmuan në ruajtjen e paqes.
“Fatkeqësisht, besoj se nuk është fundi i provokimeve të Kurtit, por shpresoj dhe besoj se bashkësia ndërkombëtare do të përkujdeset që të respektohen marrëveshjet e arritura në 24 orët e fundit për të ruajtur këtë moment paqeje dhe stabiliteti dhe të drejtohemi drejt përmbushjes së Marrëveshjes së Brukselit”, ka vijuar ajo.
Огромна захвалност @predsednikrs и Србима са КиМ за то што су нашли снаге да на бруталан терор и агресију одговоре скоро па безграничним стрпљењем, посвећеношћу миру, мудром политиком и дијалогом са свима онима који су, на било који начин, могли да допринесу очувању мира. 1/2
— Ana Brnabic (@anabrnabic) December 29, 2022
Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, kishte deklaruar se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, kishte thënë ai.
Vuçiq, mbrëmjen e 28 dhjetorit në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën, zhvilloi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Ndërkaq, arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po i mbajnë që nga 10 dhjetori.
Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave, dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë i ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.