Franca ka mirëpritur njoftimin për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, të cilat nga 10 dhjetori kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Kështu thuhet në një komunikatë për media e lëshuar nga ministria e Punëve të Jashtme e Francës, në të cilën, është falënderuar përpjekja e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për zhbllokimin e rrugëve në katër komunat e veriut.
“I bëjmë thirrje autoriteteve kosovare dhe serbe që të vazhdojnë angazhimin e tyre konstruktiv për të ulur tensionet në terren dhe për të përparuar drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Po ashtu, Franca ka kërkuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet paraprake.
“Të gjitha angazhimet e marra në kuadër të këtij dialogu duhet të zbatohen”, vijon njoftimi.
Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët të cilat të çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Barrikada, e cila ndodhej dy kilometra larg pikës kufitare në Merdar, në territorin e Serbisë, është hequr mëngjesin e së enjtes, sipas ekipit të Radios Evropa e Lirë, që ndodhet në vendin e ngjarjes.
Personat që ishin të pranishëm në këtë vend ku ishte bllokuar rruga, thanë se ishin pjesërisht të kënaqur me marrëveshjen e arritur mbrëmjen e së mërkurës.
Ata theksuan se po veprojnë në koordinim me pjesëtarët e komunitetit serb nga Kosova.
Më 27 dhjetor, pika kufitare në Merdar u mbyll nga Policia e Kosovës, pasi një grup serbësh në Serbi kanë bllokuar rrugën për në kufi.
Për të enjten është paralajmëruar edhe largimi i barrikadave nga rrugët e pjesës veriore të Kosovës.
Barrikadat në veri janë vendosur me 10 dhjetor si kundërshtim ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Qendror në Mitrovicë të Veriut si dhe Zubin Potok.