Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka njoftuar se këtë të enjte një person i akuzuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” është arratisur nga automjeti që po transportohej për në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se sot gjatë përcjelljes për në Gjykatën Themelore në Gjakove/ Dega Malishevë, i burgosuri G.K i akuzuar për vepër penale lëndim i lehtë trupor, është arratisur nga automjeti me të cilin po transportohej”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se ShKK e ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës për t’i hetuar rrethanat e arratisjes.
Ndërkaq, tre zyrtarët të cilët ishin të obliguar ta dërgonin të akuzuarin në gjykatë, janë pezulluar nga puna.
“ShKK menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosoves, gjykatën kompetente dhe ka formuar komision hetimor për rrethanat e arratisjes. Ndaj tre zyrtarëve që kanë qenë në përcjellje është iniciuar procedura disiplinore, të njëjtit me vendim të komisionit disiplinor janë pezulluar nga puna”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.