Sulmet e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, ndaj gjyqtarit, i cili mori vendim për zbutjen e masës së ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, nga paraburgimi në arrest shtëpiak, janë të pabaza.
I këtij mendimi është juristi, Bardhyl Hasanpapaj, i cili tha se shteti ka dështuar në menaxhimin e paraburgimit të Pantiq-it.
Sipas tij, Pantiq është dashur të dërgohej në paraburgim dhe para gjykatës, gjë që shteti nuk e ka bërë.
“Aty nuk ka pasur nevojë të bëjë marrëveshje askush, Qeveria që akuzon gjyqësorin, gjyqtarin, ajo është që ka dështuar në menaxhimin e paraburgimit të tij. Edhe po ta kishin mbajtur masën e paraburgimit, nuk kishin mundur ta zbatonin. I paraburgosuri nuk shkoi në paraburgim”, ka thënë ai.
“Prokuroria dhe policia kanë dështuar ta sjellin para gjykatës, ka dështuar shërbimi korrektues dhe policia ta dërgojnë në paraburgim. Ka qenë e pamundshme për t’u mbajtur në atë masë të paraburgimit, edhe arresti shtëpiak është masë”, ka vijuar ai.
Tutje, ai ka shtuar se nuk beson se ka ndonjë marrëveshje për lirimin e Pantiq-it.
Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sipas Hasanpapajt, janë vetëm për konsum të brendshëm. Ai, po ashtu, tha se me heqjen e barrikadave, Serbia ka dalë humbëse duke mos fituar asgjë.