Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “Putin të vogël”, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, teksa ka deklaruar se paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë nuk ka qenë më e kërcënuar.
Ai, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, dedikuar luftës në Ukrainë, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është i interesuar që agresionin në Ukrainë ta shpërndajë edhe në vatra të tjera.
“Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë. Miqtë e tij në Serbi e Republika Srpska synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan. Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar”, ka shkruar Kurti.
Siç theksoi Kurti, strategjia e Putinit “eskalim për deeskalim”, nuk ka funksionuar falë rezistencës çlirimtare e heroike të qytetarëve ukrainas, dhe tani ai do hapjen e vatrave të luftës në rajone e vende të tjera deri te kërcënimi nuklear në mënyrë që të krijojë kushte më të mira për të “dalë fitues” nga kjo luftë”.
Sipas tij, këto rrugë pa fitore e pa dalje të ndershme e bëjnë Kremlinin rrezikun numër një për paqen, sigurinë, demokracinë dhe mirëqenien e Evropës.
“Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë. Ata që besojnë se atë çfarë thotë Beogradi, që vazhdimisht armatoset nga lindja e veri-lindja, nuk duhet ta marrim seriozisht sepse e ka për konsum të brendshëm e për fushatë elektorale, në rastin më të mirë janë naivë”, ka shtuar Kurti.
Po ashtu, i pari i qeverisë, bazuar në statistikat e Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara në Ukrainë, ka theksuar se deri më 22 prill janë regjistruar pesë mijë e 381 viktima civile ku dy mijë e 435 prej tyre janë vrarë kurse dy mijë e 946 janë plagosur.
“Nga të vrarët 746 janë burra, 469 gra, 48 vajza dhe 66 djem si dhe 70 fëmijë, kurse për 1,036 gjinia mbetet e paditur. Më shumë se 11 milionë persona janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre ndërsa më shumë se 5.1 milionë janë refugjatë jashtë Ukrainës”, ka shkruar ai.
Ndërkaq, teksa ka përmendur edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Kurti e ka cituar një fjali të presidentit ukrainas, ku theksohet se “kur të na sulmoni, do të shihni fytyrat tona, jo shpinën”, kishte thënë Zelensky.
“Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka thënë se Ukraina ka pësuar humbje nga lufta në vlerë prej 550 miliardë dollarë dhe se 7 miliardë dollar i duhen Ukrainës çdo ditë për të vazhduar rezistencën e mbijetesën kundrejt ofensivës të Rusisë”, vijon shkrimi i Kurtit.
Ndryshe, në orën 04:00 të mëngjesit të 24 shkurtit 2022, Federata Ruse nisi pushtimin në Ukrainë.