Ish-komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ka komentuar situatën e fundit në veri të Kosovës. Buhler tha se situata deri në largimin e barrikadave ka qenë e rrezikshme sepse gjithmonë ekziston rreziku që në një situatë të tillë të ketë përshkallëzime.
Buhler theksoi se është e padurueshme që në Evropën e sotme udhëheqja serbe të ketë urdhëruar ushtrinë të shkojë në kufi, duke shtuar se gjithashtu është se është e padurueshme udhëheqja e Beogradit të shprehet me këtë retorikë luftarake, jo vetëm sot, por edhe muajt e kaluar.
“Besoj se masat që ka shpallur tani Serbia, gatishmëria për largimin e barrikadave, janë masat e duhura. Besoj se situata ka qenë e rrezikshme deri më tani, sepse gjithmonë ekziston rreziku që në një situatë të tillë të ketë përshkallëzime. Më duket e padurueshme që në Evropën e sotme udhëheqja serbe të ketë urdhëruar ushtrinë të shkojë në kufi, ku është krijuar një kërcënim potencial. Është e padurueshme që udhëheqja e Beogradit të shprehet me këtë retorikë luftarake, jo vetëm sot, por edhe muajt e kaluar”, ka thënë Buhler për DW.
Por, sipas tij, as insistimi i qeverisë së Kosovë si në rastin me targat nuk ishte diçka e mençur.
“Në anën tjetër, nuk mendoj se është e mençur as që qeveria e Kosovës të insistojë në këto detaje, si targat. Ju e dini se si është pritur kjo në Evropë. Kjo është një pikë kaq e parëndësishme, kur dihet se vëmendja e Evropës aktualisht është e përqendruar në Ballkanin Perëndimor. Ka shumë simpati për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë, hapat e parë janë aty, më në fund po vjen edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, kështu është thënë të paktën, ndërsa tani grindemi rreth targave. Zoti im, çfarë është kjo? Kjo është e pamundur”, ka shtuar Buhler.
Buhler tha se Kosova është në një pozitë të mirë pasi i ka të stacionuara trupat e NATO-s, dhe nuk ka nevojë të shqetësohemi se situata mund të përshkallëzohet.
“Kosova është në fakt në një pozitë të mirë, sepse atje ka të stacionuara trupat e NATO-s. Mendoj se nuk ka nevojë të shqetësohemi, se ky konflikt me të vërtetë do të përshkallëzojë. KFOR-i është në gjendje t’i kryejë detyrat e veta dhe do t’i kryejë detyrat e tij, edhe pse sot është me numër më të vogël sesa në kohën time kur isha komandant. Megjithatë, ekzistojnë planet e nevojshme për t’i mundësuar KFOR-it të kryejë detyrat e tij në çdo kohë. Nuk duhet të shqetësohemi për këtë. Këtu bëhet fjalë më shumë për imazhin e Ballkanit Perëndimor. Më shqetëson më shumë pyetja: A ia vlen të zbatohet shteti ligjor kur bëhet fjalë për targat, nëse rrezikohet përshkallëzimi i situatës? Kjo më shqetëson”, ka thënë ai