Mesdita e së premtës po e shënon largimin edhe të një ndër barrikadave të fundit në veri të vendit.
Pak me vështirësi meqë nuk janë ndezur për një kohë te gjatë, megjithatë qytetarët serbë e largojnë edhe barrikadën e fundit në Zupq të Zubin Potokut.
Menjëherë kur kjo rrugë bëhet e kalueshme, asaj ia mësyjne kamionë të mëdhënjë që transportojnë mallra.
Pikësynimi i tyre është pika kufitare në Bërnjak por në mes te rrugës ndalohen nga Policia e Kosovës qe u bën me dije se pika kufitare është e mbyllur ndaj nuk mund te kalojnë.
Rruga përgjate Liqenit të Ujmanit që te çon tek kufiri është e qetë teksa kufijtë mbesin të mbyllur edhe për për pak kohë.
Kjo deri në pasditën e të premtës kur policia del me njoftim se Jarinja e Bernjaku janë të hapura për qarkullim.
Përderisa bëjnë të ditur se patrullimi i policisë do të vazhdojë ne atë pjesë të territorit të Kosovës.
“Policia e Kosovës (PK), bazuar në autorizimet kushtetuese dhe ligjore në vazhdimësi ka bërë vlerësime mbi situatën e sigurisë në veri të vendit, e cila ishte përkeqësuar që nga data 10.12.2022 kur ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, mjetet që janë përdorur për barrikada e të cilat kanë mundur të ndizen nga ata që i kanë vendosur, shihet të jenë larguar.
Por kjo nuk vlen edhe per një lokacion, që as nuk duket se dikush po tenton tj lëvizë.
“Ndër barrikadat që po vazhdojnë të bllokojnë rrugën edhe në ditën e 21-të kur shumica prej të tjerave janë larguar është kjo tek Kërshi i Dudës. Kamionët e kësaj bllokade e kanë të djegur pjesën e përparme”.
Në këtë zonë u panë edhe lëvizje të një helikopteri të KFOR-it, që edhe ka shtuar prezencën në këtë anë.
Derisa gjendja paraqitet e qetë në Mitrovicën Veriore, në Lagjen e Boshnjakëve Policia e Kosovës po e vazhdon patrullimin zakonshëm.
Ndërsa qytetaret tregojnë së 3 javët e barrikadave nuk kanë qenë te lehta, megjithatë po shpresojnë ne relaksim të situatës.
Faik Haziri, qytetar ka thënë se “Që e kanë marrë seriozisht ndërkombëtarët, skenarin e kanë bërë mirë qysh e kanë dirigju, krejt tash po presim. Këto dite kanë qene të veshtira, të tensionume, gjithashtu edhe për juve, ju u mundojshit me be detyrën qysh duhet por ju sulmojshin”.
Disa Agolli, qytetar ka thënë se “Ne nuk jemi të lumtur qe 23 vjet o sot o nesër, lufta e ka një afat, a na qe 23 vjet kjo luftë është psikologjike. Ishalla është hera e fundit qe ka ksi tensione, ma mirë eshtë me vazhdu dialogu, se tensionet e belaja”.
Barrikadat ishin vendosur tri javë me parë në shenjë pakënaqësie nga grupe serbe për arrestimin e ish policit Dejan Pantiq, i njejti ka qenë ne masë të paraburgimit, por para 3 ditësh eshte liruar në burgim shtëpiak, çka ka berë që serbët të heqin barikadat.