Duke u bazuar në një udhëzim administrativ, Ministria e Arsimit kishte tentuar të marrë autoritetin e Komunave për të marrë vendime.
Saktësisht kompetencën për të vendosur lidhur me çështjen e mbylljes së shkollave në nivel lokal.
Por, disa nene të këtij akti u vlerësuan kundër kushtetuese të premten nga Gjykata Kushtetuese, një vit pasi u kërkua mendimi i saj.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes akteve nënligjore nuk mund t’i përcaktojë vetes kompetenca që nuk i janë përcaktuar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës, e të cilat kompetenca mund të ndërhyjnë në veprimtarinë e vetëqeverisjes lokale në fushën e arsimit apo të cenojnë përgjegjësitë komunale në këtë fushë”.
Ky vendim është marrë pasi ish-kryetari i Kamenicës, Qendron Kastrati, më 17 tetor 2021 kishte kërkuar vlerësimin e Kushtetueses lidhur me këtë udhëzim administrativ.
Kastrati thotë se arsimi parauniversitar duhet të jetë kompetencë e nivelit lokal sepse, sipas tij, vetëm ai i kupton në thelb dimensionet organizative të vetvetes.
“Kjo ndërlidhje me reformën në Kamenicë më shumë ka të bëjë me logjikën ku ajo që e kemi bërë ne dhe që ka ndërhyrë Ministria edhe atëherë dhe e ka pengu ka bo problem. Kjo ka qenë edhe në reformën në Kamenicë por, edhe gjithmonë që organizimi i arsimit parauniversitar të ejtë kompetentë vetanake e Komunës. Ministria mundet vetëm me i caktu standardet dhe kriteret se si funksionon arsimi”, ka thënë Kastrati.
Por, sipas këshilltarit të Arbërie Nagavcit, Valdrin Dervishaj me këtë udhëzim administrativ fillimisht ishte pajtuar Kastrati.
“Megjithatë, ky Udhëzim Administrativ dhe gjithë veprimet e tjerat që i kanë bërë, tashmë janë ndryshuar apo janë duke u ndryshuar. Ju siguroj që nuk janë pak në numër dhe modestë në përmasa të dëmit. Pra, për këtë, qytetarët i kanë pensionuar politikisht”, ka shkruar Dervishaj në rrjetin social Facebook.
Ndryshe, në prill të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.