Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu është shprehur se ishte ndjenjë e veçantë krenarie e gëzimi vizita e tij në pikën e kontrollit policor në Urën e Bistricës, së bashku me ministrin Sveçla, të dielën e 1 janarit.
“Bashkë me Ministrin Xhelal Sveçla, me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyer, dhe me zyrtarë policorë në detyrë e pritëm vitin e ri në pikën e kontrollit policor në Urën e Bistricës, për të vazhduar më pastaj vizitat edhe në stacionet policore në Jasenovik, në Koshtovë dhe në Stacionin e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje”, ka shkruar ministri Aliu.
Ministri Aliu ka falënderuar qytetarët dhe nënpunësit e të gjitha institucioneve publike të Kosovës “për bashkëpunimin e ndërsjellë, punën dhe angazhimin e tyre të palodhshëm përgjatë gjithë vitit që e lam pas”.
Aliu ka theksuar se e ardhmja e Kosovës “formësohet nga mënyra se si ne bashkëpunojmë në të tashmen, e bashkë do të vazhdojmë punën edhe më intensivisht e me rezultate edhe më të prekshme”.