Emmanuel Macron zotohet të bashkojë Francën pasi fitoi një mandat të dytë të presidencës, ndaj Marine Le Pen, e cila fitoi më shumë se 13 milionë vota, transmeton “The Guardian”.
Macron është lideri i parë francez që fitoi mandatin e dytë si president që 20 vjet. Sipas rezultateve fillestare të Ispos për “France Televizions”, ai ka shënuar një diferencë prej 58.5% nga Le Pen 41.5%.
Derisa mbështetësit e Macron valëvitnin flamujt francezë dhe evropianë, Macron është zotuar t’i përgjigjet “me efikasitet” zemërimit e votuesve që zgjodhën Marine Le Pen.
“Unë e di që një numër i francezëve kanë votuar për mua, jo për t’i mbështetur idetë e mia, por për t’i ndaluar idetë e së djathtës ekstreme. Unë nuk jam më kandidati i një kampi, por presidenti i të gjithëve ne”, ka thënë Macron, duke u bërë thirrje mbështetësve të jenë “të sjellshëm dhe të respektueshëm”.
Macron mundi Le Pen me një diferencë më të vogël se 66% që kishte fituar kundër saj në vitin 2017, pasi pjesëmarrja ishte më e ulët se pesë vjet më parë.
Le Pen arriti të japë rezultatin më të madh të së djathtës ekstreme në zgjedhjet presidenciale. Pas fushatës për krizën e kostos së jetesës, ndalimin e shamisë në vendet publike, si dhe masa nacionaliste për t’i dhënë përparësi vendasve, rezultatin e saj, Le Pen e quajti ‘një fitore të shkëlqyer në vetvete”, duke shtuar se “idetë që na përfaqësojnë po arrijnë lartësi të reja”.
Ndërsa, për liderët e BE-së, fitorja e Macron është mirëpritur menjëherë. Macron i kishte konsideruar zgjedhjet presidenciale si “betejë për Evropën”.
Macron ka akuzuar Le Pen se ishte “e varur” financiarisht nga Rusia, pasi ajo mori një kredi ruse për partinë e saj në vitin 2014. Sipas tij, lidhjet e saj me Kremlinin do të kishin qenë të rrezikshme gjatë luftës në Ukrainë. Nga ana tjetër, Le Pen kishte thënë se “frika ishte i vetmi argument që kishte mbetur”.
Presidenti farncez për “Quotidien”, kishte thënë se do të ketë një pjesë që votojnë për mua për të bllokuar Frontin Kombëtar.
Tashmë fokusi do të përqendrohet në zgjedhjet parlamentare në qershor, ku Macron do të kërkojë të marrë një shumicë për grupimin e tij qendror.
Macron ka premtuar që së pari do të prezantojë një paketë masash, për të lehtësuar presionin e krizës së kostos së jetesës.
Roundi i parë i zgjedhjeve në Francë është mbajtur më 10 prill 2022, por pasi Macron kishte marrë 28.1-29.7% dhe Le Pen mori 23.3-24.7%, ishte vendosur që dyshja të shkojë në balotazh.