Një i vrarë dhe një i plagosur nga gjuajtja me armë në lokalin “Kobra City”

Një shtetas i Shqipërisë ka mbetur i vrarë, pasi dyshohet se u plagos nga Dibran Hoxha, në oborrin e lokalit “Kobra City”, që është pronë e Hoxhës. Sherri dyshohet se nisi për shkak të një fature, kurse gjuajtjes me armë i parapriu një rrahje mes të dyja palëve. Dibran Hoxha dhe pesë persona të tjerë për orë të tëra janë marrë në pyetje në stacionin e Policisë në Prizren

Ilustrim

Me pranga në duar po nxirret nga stacioni i Policisë në Lubizhtë të Prizrenit.

Është ky Dibran Hoxha, personazh i njohur për policinë që kësaj radhe në duart e organeve të rendit përfundojë si i dyshuar kyresor për një vrasje të rëndë që ndodhi në afërsi të lokalit të tij Kobra City në periferi të Prizrenit.

Këtu si pasojë e plagëve me armë zjarri nuk arriti të mbijetojë 31 vjeçari me inicialet V.C, shtetas i Shqipërsisë.

Për ngjarjen e rëndë, fillimisht ka njoftuar Policia e Shqipërisë.

Në njoftimin e tyre thuhet se rreth orës 04:25 të mëngjesit, V.C dhe R.Sh kanë hyrë të plagosur në territorin e Shqipërisë, duke u transportuar nga A.B.

“Si pasojë e plagëve të marra shtetasi V. C., ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa shtetasi R. Sh., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në lidhjen me ngjarjen, menjëherë nga DVP Kukës është ngritur grupi hetimor i cili po kryen veprimet procedurale për llogari të Policisë së Kosovës”, ka njoftuar Policia e Shqipërisë.

Që të tre personat ishin banor të Kukësit.

Ndërkohë, lokali Kobra City është bastisur nga policia e më pas i është ndaluar veprimtaria. Ndërkohë, pronari i lokalit Dibran Hoxha, bashkë me pesë persona të tjerë u arrestuan për këtë ngjarje të rëndë.

Radio Televizioni Dukagjini mëson se disa nga të ndaluarit deklaruan se para se të ndodhte shkrepja e armës, ndodhi një rrahje mes të dyja palëve.

E i gjithë sherri dyshohet të ketë nisur për shkak të një fature, mirëpo Prokuroria Themelore në Prizren nuk ka dashur të jap më shumë detaje gjatë ditës.

“Deri më tani janë duke punuar intesivisht  në bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e shtetit, kanë marrë disa urdhëresa për bastisje, janë kryer bastisje në lokalin në fjalë por edhe në disa shtëpi të tjera, bastisjet vazhdojnë edhe më tej”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi.

Policia e Kosovës akoma nuk e ka gjetur armën e zjarrit me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra.

Lokali Kobra City është në të gjitha anët i pajisur me kamera, mirëpo xhirimet e tyre nuk kanë arritur t’i shohin hetuesit e policisë, pasi ka dyshime se kjo provë e rëndësishme mund të jetë dëmtuar nga të dyshuarit.

Gjatë së mërkurës pritet të mbahet seanca për caktim të masës së paraburgimit.