Gazetari i The Economist, Tim Judah, ka publikuar një artikull lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, i cili titullohet “A do të përfundojë ndonjëherë lufta e Kosovës?”.
Ai ka intervistuar disa figura kyçe në mesin e politikanëve e aktivistëve që kanë impakt në zhvillimet politike, e një ndër ta është edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili është shprehur skeptik pas tensioneve të fundit në veri. Ai ka theksuar se tani për tani Serbia nuk do ta njohë Kosovën.
“Ai më tregoi se, përderisa qëllimi i fundëm ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ‘e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen’”, rrëfen Judah, duke perifrazuar dhe cituar ambasadorin Hovenier, transmeton Portali Dukagjini.
Hovenier ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë hap i përkohshëm drejt njohjes mes këtyre dy vendeve, si vende të pavarura.
“Nëse e shihni këtë marrëveshje, këtë angazhim si një hap të përkohshëm drejt saj… ka mundësi reale”, ka thënë Hovenier.
Lidhur me këtë temë, Judah e ka pyetur edhe emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili ka vlerësuar se në 20 vitet e fundit, tensionet ndërmjet dy shteteve nuk kanë qenë asnjëherë më të larta.