Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka deklaruar se Serbia ka shtuar disa paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, i cili synohet të nënshkruhet nga palët në kuadër të dialogut në Bruksel. E në këtë formë, ky draft për Hotin është i papranueshëm, pasi, sipas tij, Serbia po shton paragrafë të rinj me qëllim që të prolongojë këtë proces.
Ndryshe, muajin që shkoi, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur se nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka pranuar një draft të dokumentit, i cili synohet të nënshkruhet për çështjen e të pagjeturve.
Bislimi kishte deklaruar se dokumenti për të cilin thuhej se mund të nënshkruhet gjatë janarit në Bruksel, do të shqyrtohet fillimisht nga Hoti.
Por, lidhur me këtë, Hoti ka thënë se sa herë ofrohet mundësia për nënshkrimin e një dokumenti për të pagjeturit, Serbia vendos kërkesa të reja që janë të paarsyeshme.
Sipas tij, një dokument i tillë me kërkesat e reja të Serbisë e largon fokusin prej personave të zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Drafti i dhjetorit që unë e kam parë, janë shtuar një apo dy paragrafë të tjerë nga Serbia, vetëm me prolongu këtë proces, që ka qenë shumë afër nënshkrimit, edhe pse e kanë lënë tash këtë problemin madhor që e kanë pasur ‘persona të zhdukur me forcë’, ai është aty tashmë ekziston aty, nuk merren me të por i kanë shtuar disa kërkesa të reja të panevojshme, të paarsyeshme, të pakuptueshme për një deklaratë të tillë dhe unë natyrisht nuk i pranoj të tilla dhe besoj që, nëse largohen ato, uroj të nënshkruhet, nuk e di nëse do të nënshkruhet”, ka thënë Hoti.
Tutje, Hoti ka thënë se Kosova është e gatshme të nënshkruajë dokumentin, por pa kërkesat e reja të Serbisë, dhe ka theksuar se kanë hartuar opinionin të cilin pret që ta shqyrtojë Lajçaku apo të diskutohet në takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiq.
“Nuk e di nëse do të nënshkruhet tani, pas asaj të gushtit Serbia për me prolongu këtë proces, me prolongu këtë deklaratë, ka qitur kërkesa të reja, ka qitur paragrafë të rinj, që për ne janë të papranueshme. Unë në diskutim me Bislimin, e kemi hartuar opinionin tonë që kërkesat e reja që kanë dalë pas asaj, janë komplet të panevojshme dhe besoj që ato do të shqyrtohen nga Lajçak ose në takimin e radhës kur do ta kenë, dhe nëse do të ketë tash në janar një takim në mes të kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, nëse do të nënshkruhet pa to, do të nënshkruhet, me to nuk besoj që do të nënshkruhet”, ka shtuar ai.
Një përpjekje për të nënshkruar një deklaratë për të pagjeturit ishte bërë edhe në gusht të vitit 2022, ku Serbia e ka kundërshtuar termin “persona të zhdukur me forcë”.
E që lidhur me këtë Hoti, ka thënë se ky term është i vetmi që bazohet në konventë ndërkombëtare të OKB-së dhe që e bën obliguese deklaratën edhe nga ana juridike.
Sipas Hotit hapja e arkivave në Beograd do të lehtësonte procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.
“Edhe në vitin 2022, edhe në vitin 2021 ne kemi pasur disa dëshmitarë që na kanë treguar për lokacione të ndryshme, ata kanë filluar edhe të largohen, për shkak të frikësimeve të ndryshme që po hasin prej Serbisë, po do të jetë goxha më sfiduese por çka mundet me lehtësu procesin dhe ne çka aludojmë që do lehtësojë në masë të madhe, nuk do ta përfundojë çështjen e personave të zhdukur, do ta lehtësojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, janë pikërisht dokumentet që i kam përmend më herët, arkivat në Beograd, arkivat shtetërore të ushtrisë dhe policisë serbe, ato që janë të klasifikuara dhe që ne nuk po arrijmë me i marr ende, Serbia nuk po i jep”, ka theksuar Hoti.
Ndër të tjera, Hoti është shprehur se zhvillimet e fundit në veri pritet të ndikojnë edhe në procesin e nënshkrimit të dokumentit për personat e pagjetur.
“Ne edhe pas 23 vitesh po vazhdojmë të kërkojmë eshtra, apo njerëzit në çfarëdo lloj forme, të zhdukur pikërisht nga këto forca, pas 23 vitesh, presidenti i Serbisë Vuçiq del dhe kërcënon prapë me futjen e ushtrisë serbe në Kosovë, me një formë thotë kemi me iu vra, ne vazhdojmë me i kërku eshtrat para 23 vitesh, ai kërcënon me na vra prapë, natyrisht që ndikon, natyrisht që humb besueshmëria, kjo është indirekt, por edhe direkt ndikon sepse ne gjatë muajit dhjetor takimet e parapara që i kemi pasur me palën serbe nuk kemi mundur me i mbajt, mes grupeve punues”, ka deklaruar Hoti.
Ndryshe, që nga viti 1999, në territorin e Serbisë janë gjetur trupat e pajetë të më shumë se një mijë qytetarëve nga Kosova, të zhdukur në luftë. KP