Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Francës dhe Gjermanisë raportohet se do të vizitojnë Beogradin pas festave të fundvitit për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
I dërguar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, së bashku me Emmanuel Bonnin, të dërguarin e presidentit francez dhe Jens Pletnerin, të dërguarin e kancelarit gjerman, pritet të vizitojnë fillimisht Beogradin gjatë javës së ardhshme, raporton Novosti.
Po ashtu, sipas gazetës në fjalë, pas këtij takimi mund të ketë vizita edhe nga zyrtarë të tjerë.
Po ashtu, Novosti, duke iu referuar burimeve të saj, ka theksuar se qëllimi i këtyre vizitave është fillimi i negociatave për zgjidhjen politike mes Kosovës dhe Serbisë, duke u bazuar në propozimin e planit franko-gjerman, pra propozimin e Bashkimit Evropian për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, gazeta në fjalë ka shtuar se takimet do të vijnë para përvjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë, më 24 shkurt, që paraqet një afat joformal kur Beogradi dhe Prishtina duhet të bien dakord për të paktën draftin e marrëveshjes së ardhshme për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se propozimi franko-gjerman përmban modelin e dy Gjermanive përbrenda vetvetes, edhe kjo për Qeverinë e Kosovës është bazë e mirë për dialog.
Por, sipas tij, Serbia nuk është interesuar për marrëveshje e as për dialog, “Serbia është e interesuar vetëm për shkaktim të krizave që të shfaqet si faktor se ajo po i zgjidh ato”, ka thënë Kurti.
Ky propozim, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në dokumentin që siguroi REL, nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Kujtojmë se, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në “Debat Plus”, kishte bërë të ditur se përveç dokumentit politik të planit franko-gjerman, tashmë Kosova e ka pranuar edhe dokumentin e zbatimit të këtij plani, i cili përbëhet nga disa faza.
“Plani franko-gjerman nuk ka ndryshim substancial, ndryshimet janë minore, substanciale është një plan tjetër që ka ardhur si aneks, që nuk është plani politik por i zbatimit, i zbatimit të cilin do të ulemi në detaje ta analizojmë me kryeministrin”, ka thënë ai.
Në këtë plan të zbatimit, sipas Konjufcës, nuk përmendet drafti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por vetëm thuhet se marrëveshjet e deritanishme palët janë të obliguara t’i zbatojnë.