Ylli i muzikës latine, Bad Bunny, e ka mbrojtur veprimin e tij ku ia hedh një fanseje telefonin mobil në ujë, pasi ajo e bezdis vazhdimisht për të dalë në fotografi me të.
“Personat që vijnë tek unë për të më përshëndetur, për të më thënë diçka ose thjesht për të më takuar, gjithmonë do ta kenë vëmendjen dhe respektin tim. Ata që vijnë të më vënë një telefon të ndyrë në fytyrë, do t’i konsideroj si persona me mungesë respekti dhe do t’i trajtoj njëlloj”, deklaroi reperi përmes një postimi në Twitter.
Videoja në fjalë është bërë virale në rrjetet sociale dhe po merr reagime të ndryshme nga publiku.
Ka nga ata që e kuptojnë artistin latin, i cili mezi ec rrugës nga insistimi i fanses e cila ia mban telefonin te fytyra, por të tjerët e konsiderojnë reperin 28-vjeçar si të pasjellshëm dhe arrogant.
Bad Bunny ishte artisti më i transmetuar në Spotify në vitin 2022, me një rekord prej 18.5 miliardë transmetimesh. Ai ishte gjithashtu artisti më i transmetuar në këtë platformë në vitin 2020 dhe 2021. Asnjë artist tjetër nuk e ka mbajtur ndonjëherë atë pozitë, për tri vjet radhazi.
⭐Tras los Famosos
Se enoja Bad Bunny con fanática y lanza celular al agua… pic.twitter.com/2KCrWwExWA— Alberto Santos (@alberto_santos) January 2, 2023
Albumi i katërt i incizuar në studio i artistit nga Puerto Rico, “Un Verano Sin Ti”, që u publikua në maj të vitit të kaluar, i prodhoi një sërë këngësh hite si, “Me Porto Bonito”, “Tití Me Preguntó” dhe “Moscow Mule”.
Në edicionin e 23-të të ceremonisë “Latin Grammy” që u mbajt në muajin nëntor, “Un Verano Sin Ti” triumfoi në kategorinë “Albumi më i mirë i muzikës urbane”. Ndërsa në edicionin e ardhshëm të ceremonisë “Grammy”, ky incizim garon për çmimin, “Albumi më i mirë i vitit”. Njëherësh është albumi i parë në gjuhën spanjolle që e fiton një nominim në këtë kategori kryesore. Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Grammy” do të mbahet në shkurt të këtij viti.