Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme (BE), Peter Stano ka thënë se BE-ja ka bashkëpunim shumë të ngushtë dhe të mirë me NATO-n.
Në një konferencë për media, Stano ka thënë se ky bashkëpunimi i ngushtë i BE-së me NATO-n është dëshmuar edhe në praktikë në situatën e fundit në veri të Kosovës.
“Nuk është sekret që në kontekstin aktual strategjik bashkëpunimi i BE-së me NATO-n është më i rëndësishëm dhe relevant se kurrë më parë. Kjo është parë edhe në praktikë. Rasti i fundit ishte në veri të Kosovës mes Krishtlindjeve dhe pushimeve për Vitin e Ri, kur BE-ja dhe NATO u koordinuan ngushtë në terren”, ka thënë Stano.
Ndër të tjera, ai ka thënë se BE dhe NATO janë të koordinuar ngushtë edhe në kontekstin e agresionit ilegal rus ndaj Ukrainës.
“Po ashtu, jemi të koordinuar dhe po punojmë shumë ngushtë edhe në kontekstin e agresionit ilegal rus ndaj Ukrainës. Sigurisht se është e rëndësishme nënshkrimi i një deklarate të përbashkët, dhe presim të ndodhë kjo sa më shpejt të jetë e mundur”, ka vijuar ai.