Kisha Anglikane dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shprehur “zhgënjimin” e tyre për një sulm ndaj një varreze historike afër qytetit të vjetër të rrethuar me mure të Jeruzalemit.
Më shumë se 30 varre në varrezat protestante në malin “Sion” u përdhosën të dielën. Kryqet u thyen, ndërsa gurët e varrit u rrëzuan dhe u thyen gjersa ekstremistët hebrenj ishin ata që janë fajësuar për vandalizmin.
“Ne kemi vënë re se gjuha e urrejtjes dhe krimet e urrejtjes janë në rritje,” tha kryepeshkopi anglikan, Hosam Naoum.
Duke qëndruar pranë varrit të vandalizuar të peshkopit të dytë anglikan të Jeruzalemit, Samuel Gobat, ai tha se kohët e fundit kishte pasur një rritje të gjuhës së urrejtjes ndaj krishterëve dhe sulmeve në vendet e tyre të shenjta.
“Ky është vetëm një tregues se ne nuk jemi në një vend ku njerëzit mund të tolerojnë njëri-tjetrin ose të pranojnë njëri-tjetrin,” shtoi kryepeshkopi Naum. “Ne shohim më shumë përjashtim, më shumë ndarje, dhe kjo është ajo që na pikëllon vërtet në këtë qytet të Jeruzalemit”.
Në një postim në Twitter, konsullata britanike në Jerusalem tha se autorët e sulmeve me motive fetare duhet të mbahen përgjegjës.
Ministria izraelite e punëve të Jashtme dënoi gjithashtu vandalizmin në varreza.
“Ky akt imoral është një fyerje ndaj fesë dhe autorët duhet të ndiqen penalisht,” shkruhej në Twitter.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë dy të rinj që kryejnë sulmin. Ata kishin veshur kipa, dhe thekë me nyje të njohura si tzitzit në rrobat e tyre, që tregon se ata janë hebrenj fetarë.
Policia izraelite tha se kishte vizituar varrezat për t’i parë dëmet, dhe po hetonte se çfarë ndodhi.
Varrezat u ngritën në vitin 1848, në një tokë të blerë nga peshkopi Gobat, dhe ishin komunitetet luterane dhe anglikane ato që u kujdesën për të.
Mes të varrosurve ka shkencëtarë, politikanë, pjesëtarë të forcave të armatosura dhe klerikë, shumë prej të cilëve, ishin figura të shquara të qytetit të shenjtë.
Tri varre të luftës së Commonwealth të oficerëve të policisë palestineze ishin në mesin e atyre që u sulmuan, ndërsa disa kryqe guri u panë të shtrirë në tokë.
Kisha Anglikane tha se shënjestrimi i kryqeve thekson qartë se këto akte kriminale ishin të motivuara nga fanatizmi fetar dhe urrejtja kundër të krishterëve.
Komisioni i Commonwealth War Graves (CWGC) i tha BBC-së se ishte “i tmerruar” nga vandalizmi.
“Një numër shumë i vogël i gurëve të varrit të CWGC u dëmtuan, ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet për këtë çështje dhe stafi ynë në vend tashmë po punon për të kryer riparime të plota dhe për t’i kthyer varret në gjendjen e tyre normale,” tha një zëdhënës.
E njëjta varrezë u vandalizua në mënyrë të ngjashme nëntë vjet më parë.