Ka nisur ceremonia e varrimit të Papa Benediktit XVI në Vatikan i cili vdiq më 31 dhjetor në moshën 95-vjeçare.
Ceremonia ka mbledhur mijëra njerëz në Sheshin e Shën Pjetrit për varrimin Papës Emeritus Benedikti XVI, teologut gjerman, i cili shënoi një pjesë të historisë së Kishës Katolike duke u bërë Papa i parë në 600 vjet që u largua nga drejtimi i Kishës.
Siç u paralajmërua, ceremoninë e varrimit po e udhëheq Papa Françesku ndërsa është Policia italiane ajo e cila ka thënë se pritet të mblidhen deri në 100 mijë persona në sheshin Shën Pjetri.
Në një ngjarje të tillë nuk kanë munguar as krerët e Shtetit.
Ndonëse i ndjeri kishte kërkuar që varrimi i tij të mos ishte një ngjarje e madhe, delegacione zyrtare të Gjermanisë dhe Italisë po marrin pjesë duke mos përjashtuar presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier dhe atë italian, Sergio Mattarella. Krahas tyre, në ceremoni janë ftuar edhe krerët e disa qeverive, katër kryeministra dhe dy delegacione të familjeve mbretërore.
Nga Republika e Kosovës, është ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Donika Gërvalla, së bashku me përfaqësuesin e Kosovës për Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari ata të cilët po marrin pjesë.
Ish-kreu i Kishës Katolike, emri i vërtetë i së cilit ishte Joseph Ratzinger, vdiq më 31 dhjetor në moshën 95-vjeçare. Ai konsiderohej si një prej teologëve më të mirë të shekullit XX dhe e kaloi jetën e tij duke iu përmbajtur doktrinës së Kishës.
Benedikti u zgjodh Papë më 2005 në moshën 78-vjeçare dhe u bë papa më i vjetër që u zgjodh në krye të Vatikanit. Ai udhëhoqi Kishën për pothuajse tetë vjet dhe më 2013 dha dorëheqje.