Pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksdandër Vuciq, se disa shtete e kanë tërhequr njohjen për shtetin e Kosovës, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
Në njoftimin e tyre thuhet se MPJD ka zhvilluar biseda personale me përfaqësues të ndryshme të shteteve për të cilat Serbia ka pretenduar se e kanë tërhequr njohjen dhe sipas MPJD-se ato shtete e kanë mohuar një gjë të tillë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton që nuk ka ASNJË njoftim në MPJD dhe as në misionet e Republikës së Kosovës, rreth pretendimeve të djeshme të presidentit serb se disa shtete paskan tërhequr njohjen. Një pretendim i tillë nuk është vërtetuar as pas bisedave personale me përfaqësues në nivele të ndryshme të këtyre shteteve, por as pas konsultimit me partnerët e rëndësishëm të vendit tonë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në njoftim kërkohet që çështjet në mes të Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen me dialog dhe jo me “kampanja destruktive mediale”.
“Serbia duhet që urgjentisht të heqë dorë nga sulmet agresive ndaj Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe t’i kthehet tryezës së negociatave me në qendër njohjen e ndërsjelltë”, thuhet në njoftim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën ka thënë se 9 shtete e kanë tërhequr njohjen për Kosovën, dhe se sipas tij, edhe një shtet tjetër së shpejti do ta bëjë të njëjtën gjë.
Ai, po ashtu, tha se Serbia do të punojë maksimalisht që ta pamundësojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Vuçiq ka theksuar se në Këshillin e Evropës, ndikimi i Serisë do të jetë i vështirë, kurse në UNESCO, sipas tij, do të luftojë më shumë për mospranimin e Kosovës.