Tashmë ka përfunduar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të dërguarit të posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Pas takimit me presidenten Osmani, Peach do të takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, takim ky i cili sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit ka filluar në orën 16:00.
I dërguari i posaçëm i MB-së për Ballkanin Perëndimor, Peach kishte arritur në Presidencë për të zhvilluar takimin e paralajmëruar me presidenten Osmani, duke filluar nga ora 15:00.
Këtë e ka bërë të ditur ekipi i RTV Dukagjini, i cili ka raportuar drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.
Takimi po mbahet i mbyllur për media, pasi ekipi i RTV Dukagjinit u lejua të marrin pamje vetëm gjatë hyrjes së emisarit të Britanisë së Madhe në objektin e Qeverisë së Kosovës.
Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini se pritet që Kosova të vizitohet nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe nga emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë janarit, në shoqërinë e të dërguarve të BE-së.
“Është e pritshme që gjatë janarit të vijnë në Prishtinë emisari evropian Lajcak, ai amerikan Escobar, francez Beaune dhe ai gjerman Plettner, drejt një takimi të radhës të nivelit të lartë në Bruksel, për dialog për marrëveshje atje që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, ka deklaruar Kryeziu.
Ndërkaq, kujtojmë se kjo do të jetë vizita e tyre e parë e vitit 2023.