Të premten e gjashtë janarit, Raporti i Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka njoftuar për kolonat dhe pritjet në pikat kufitare, të cilat bëjnë lidhjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Edhe të premten, ngjashëm sikurse të enjten, mërgimtarët që po largohen nga Kosova vazhdojnë të presin gjatë në pikën kufitare në Merdarë.
Raporti i Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar po raporton se mërgimtarët për të dalë nga kjo pikë po presin 180 deri në 240 minuta.
Kësisoj, i bie rreth 4 orë pritje për mërgimtarët.
Ndërkaq, kolona për dalje në pikën kufitare në Merdarë raportohet të jetë afro 2000 metra.
Por, ndryshe nga kjo pikë kufitare, te Dheu i Bardhë pritjet gjatë ditës së premte janë më të pakta, pasi në raportin e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar shihet se këtu pritjet për dalje janë 60 deri në 90 minuta, pra pak më shumë se një orë.
Ndërsa, kolona për dalje në pikën te Dheu i Bardhë raportohet se është 300 deri 400 metra.
Ndryshe, edhe gjatë ditës së djeshme mërgimtarët kanë pritur deri në katër orë për të dalë nga këto dy pika kufitare.
Lidhur me këto pritje, të enjten e 5 janarit mërgimtarët kanë folur për ekipin e terrenit të RTV Dukagjini. Ata janë shprehur të mërzitur për shkak se sipas tyre çdoherë po përsëriten pritjet e njëjta.
“Jemi mësuar kështu, nuk është hera e parë që presim kështu, meqenëse gjithmonë ne mërgimtarët e kemi”, ka thënë qytetari Ismet Mehaj.