Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), i ka treguar arsyet e lejimit të vizitës brenda territorit të Kosovës për drejtorin e së ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Petar Petkoviq.
Në një përgjigje për RTV Dukagjini, kanë thënë se kërkesa për vizitë është miratuar për datat 6-7 janar të këtij viti dhe se kërkesa është shqyrtuar “konform Marrëveshjes për Vizitat Zyrtare, të nënshkruar në vitin 2014 në Bruksel”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka aprovuar kërkesën për lejim të vizitës në Republikën e Kosovës të zyrtarit serb, Petar Petkoviq, për datat 6-7 janar 2023”, thuhet në përgjigjen e tyre
Tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se leja për vizitë i është dhënë vetëm për ritet fetare, jo për aktivitete të tjera.
Petkoviq, sipas MPJD-së, është i obliguar të mos përdorë gjuhë nxitëse dhe retorikë kundër shtetit të Kosovës.
“Leja është dhënë nën premisat që të shërbejë ekskluzivisht për kryerjen e riteve fetare dhe si e tillë nuk mund të shërbejë për synime apo aktivitete të tjera. Zyrtari në fjalë është i obliguar të përmbahet nga deklarimet politike, gjuha nxitëse dhe retorika kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.
Nëse thyhen këto rregulla, sipas MPJD-së, do të ndërpritet vizita e tij dhe do të refuzohen edhe kërkesat potenciale të së ardhmes.
“Çdo tejkalim i këtyre rregullave do të çojë në ndërprerjen e menjëhershme të vizitës dhe rezervimit të së drejtës për refuzim të kërkesave në të ardhmen”, thuhet në përgjigje.