Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se gjatë të premtes së 6 janarit, në Policinë e Kosovës janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje.
Rastet e raportuara kanë qenë dy në komunën e Prizrenit, dy në Viti, një në Prishtinë, një në Podujevë dhe një në komunën e Pejës.
Në rastin e raportuar në Prishtinë, bashkëshorti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten, ndërsa në rastin e raportuar në Podujevë, një mashkull dyshohet se i ka sulmuar fizikisht prindërit dhe motrën e tij.
“ Prishtinë 06.01.2023-11:00 Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi i njëjti pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur me bashkëshorten, e kishte sulmuar fizikisht atë. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor. Nga i dyshuari është konfiskuar një revole, të cilën ai e kishte me leje. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Podujevë, 06.01.203-17:30, është arrestuar i dyshuari mashkull i mitur pasi i njëjti i kishte sulmuar fizikisht viktimat prindërit dhe motrën e tij. Viktimat kanë refuzuar tretmanin mjekësor. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, për rastet e raportuara në Viti, njëri ka qenë i atillë që bashkëshorti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, ndërsa në rastin tjetër është raportuar se i dyshuari, mashkull kosovar, ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij
“Viti 06.01.2023 – 14:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës, femër kosovare. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt. Viti 06.01.2022-16:00 Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi i njëjti në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë ndaj djalit të tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, bëhet e ditur në raportin e PK-së.
Tri rastet e tjera janë dy në komunën e Prizrenit dhe një në fshatin Baran të Pejës.
Në të trija rastet, personat e dyshuar kanë ushtruar dhunë ndaj femrave dhe janë dërguar në mbajtje.
”Prizren 06.01.2023 – 02:00. Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi ka ushtruar dhunë ndaj viktimës ,femër kosovare, me të cilën bashkëjeton. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Prizren 06.01.2023-23:40. Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Si pasojë e sulmit fizik, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe i është ofruar tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje. Fsh. Baran, Pejë 06.01.2023 – 08:00. Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Si pasojë e sulmit fizik, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe i është ofruar tretman mjekësor. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.