Qerkini: Kurti s’na ka vizituar kurrë, ai po del edhe kundër miqve

Bajram Qerkini, i cili drejton Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti, nuk e ka vizituar kurrë këtë Qendër. Ai ka shtuar se Qeveria, çështjen e të zhdukurve e ka përzier me tema politike, e nga kjo sipas tij, po shkelen të drejtat e familjarëve që janë të garantuara me konventa ndërkombëtare

Bajram Qerkini, i cili udhëheq me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur. Foto EO, 8 janar 2023

Bajram Qerkini, edhe pse në moshë të shtyrë, mbetet që nga paslufta zëri i familjarëve të personave të zhdukur. 83-vjeçari, babi i një djali të zhdukur në vitin 1999, është i zhgënjyer me punën e institucioneve karshi fatit të këtyre personave.

Qerkini, i cili udhëheq Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur, ka thënë se ata kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka vizituar kurrë.

Madje, ai në një intervistë për EO, ka thënë se krerët e institucioneve nuk po dakordohen për vendime të rëndësishme me miqtë, e po bëhen me të mençur se amerikanët se anglezët, e më të mençur se të gjitha shtetet e QUINT-it.

Gjetjen e një gjuhe të përbashkët, ai e ka kërkuar, fillimisht, brenda vendit, duke përdorur edhe një metaforë “të gjithë të jenë sikur vëllezër, siç kanë thënë më herët, edhe pse tash vëllezërit nuk flasin, po si të jenë baxhanak se me ata po kalojnë më mirë”.

“Albin Kurti nuk ka ardhur, nuk ka ardhur në këtë zyrë kurrë, po as në atë tjetrën. Mendojnë se janë më të mençur se ata. Më të mençur se amerikanët, më të mençur se anglezët, më të mençur se krejt shtetet e QUINT-it, që kanë prurë vendim për t’na çliruar, ne po dalim më të mençur se të gjithë. Nuk po gjejmë gjuhë të përbashkët me miqtë tanë, me njerëz që duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe t’i tejkalojmë këto krizat të shekullit 21. Mos të harrojmë se është shekulli 21-të, nuk është më i sëpatës, se ne do të dalim para armikut edhe me sëpatë. Mirëpo tash është lapsi”, ka thënë Qerkini.

“Lapsa kanë mjaftueshëm, gjuhë të gjithë po dinë, pse nuk po ulen të bisedojnë. Këta nuk po ulen të bisedojnë mes vete e lëre më ndërkombëtarët. Na duhet një herë brenda, politika brenda e rrethit, dhe kur nuk është punë kombëtare të gjithë të jemi një gjuhë. Të gjithë të jemi sikur vëllezër, siç kanë thënë më herët, edhe pse tash vëllezërit nuk flasin, po si të jenë baxhanak, me ata e kanë se me vëllezër pak”, është shprehur tutje ai.

Po ashtu, 83-vjeçari ka thënë se kjo Qeveri çështjen e të zhdukurve e ka përzier me temat politike, duke shtuar se janë formuar disa komisione, por sipas tij, është bërë pak në këtë drejtim.

Madje, ai ka thënë se po shkelen të drejtat e familjarëve që janë të garantuara me konventa ndërkombëtare.

“Kjo Qeveri e ka përzier me politikë, dhe për dy fjalë apo tri pse nuk po munden të gjejnë gjuhë të përbashkët në Bruksel, e kanë anuluar edhe procesin e personave të pagjetur. I kanë bërë disa lëvizje edhe disa komisioni dhe nënkomisione pa rezultate, të cilat ne e kemi ditur se do të bëhet shumë më shumë se që kanë bërë deri më tani”, ka thënë Qerkini.

“Asnjëherë, asnjë Qeveri nuk them që s’ka bërë asgjë, bile është përpjekur, por tash e dy vjet është ngrit çështja e personave të pagjetur për shkak se në vend që të punohet, ashtu siç është me konventa ndërkombëtare e paraparë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, të punohet në aspektin human e jo politik, mjerisht, te ne është përzier politika dhe ka stagnuar”, është shprehur tutje ai.

Gjithashtu, ai ka theksuat se po ua shkelin të drejtat elementare të garantuara me konventa ndërkombëtare që “duhet të kenë njohuri për personin e pagjetur, për personin të cilin e kanë marrë, e kanë masakruar, dhe e kanë dërguar 400 kilometra larg Kosovës”.

Duke folur për gjendje në të cilën punojnë, ai ka thënë se në objektin ku janë vendosur, nuk kanë as rrymë e nuk po kanë me çka të ngrohen. Ndërkaq, ai ka shtuar se “një komshi ma lëshon vetëm një tel për nxehje”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika