Policia Rajonale e Ferizajt, ka njoftuar se rruga Shtërpcë-Prevallë, këtë të diel, do të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve.
Sipas njoftimit për media, duke filluar nga ora 11:30, rruga do të jetë e mbyllur nga fshati Drajkovc, komunës së Shtërpcës, deri në Brezovicë, për shkak të protestës së serbëve në komunën e Shtërpcës.
“Njoftojmë se rruga rajonale Shtërpcë- Prevallë, nga ora 11:30 do të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve, deri në një njoftim tjetër, kjo për arsye të protestës së paralajmëruar që do të mbahet në Shtërpce, nga ora 12:00. Rruga do të jetë e mbyllur nga fshati Drajkovc komunës së Shtërpcës deri në Brezovicë. Sapo të përfundon protesta do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin për media.
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, njëherësh edhe nënkryetar i Listës Serbe, ka paralajmëruar protestë për të dielën, lidhur me plagosjen e dy djemve serbë, të cilët u qëlluan me armë zjarri në fshatin Gotovushë.
Jevtiq, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë thirrje për protestë, e cila pritet të fillojë nga ora 12:00, para Shtëpisë së Kulturës në Shtërpcë.
Sipas mediave serbe, protesta edhe në veri do të mbahet kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe Listës Serbe.
Protesta ishte planifikuar fillimisht për datën 9 janar, por organizatorët vendosën ta ndryshojnë datën.
Gjithashtu, në të njëjtën orë dhe ditë, edhe Lista Serbe ka paralajmëruar, siç e quajtën ata, një protestë të madhe para Shtëpisë së Kulturës në Shtërpcë.