Policia e Kosovës ka njoftuar se tashmë është liruar për qarkullimin e automjeteve rruga rajonale Shtërpcë – Prevallë.
Mbyllja e rrugës erdhi si pasojë e protestës nga ana e serbëve lokalë në komunën e Shtërpcës, lidhur me plagosjen e dy djemve serbë, të cilët u qëlluan me armë zjarri në fshatin Gotovushë.
Po ashtu, në njoftimin e Policisë thuhet se protesta ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident të raportuar.
“Përfundon protesta në Shtërpcë, lirohet rruga për qarkullimin e automjeteve. Ju njoftojmë se në ora 12:30 ka përfunduar protesta që ishte paralajmëruar të mbahej në Shtërpcë. Protesta ka kaluar e qetë dhe nuk është raportuar për incidente. Tani, rruga rajonale Shtërpcë – Prevallë është e lirë për qarkullimin e automjeteve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komuna e vogël afër qytetit të Ferizajt, Shtërpca, e cila ka një numër të madh të banorëve serbë, siç raporton nga vendi i ngjarjes, gazetari i RTV Dukagjinit, Sylejman Sylejmani, shumë nga ta ishin mbledhur për të protestuar pas plagosjes së dy të rinjve serbë, të premten e 6 janarit.
Ndërkaq, protesta ishte duke u zhvilluar nën mbikëqyrjen e EULEX-it.