Një person ka mbetur i plagosur në një lokal në lagjen Emshir të Prishtinës, në mbrëmjen e së dielës së tetë janarit.
Kështu ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka theksuar se viktima tashmë është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e kryeqytetit.
“Sot rreth orës 21:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri, në një lokal në lagjen Emshir të Prishtinës. Nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, B.A, mashkull 37 vjeç, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë ajo.
Sipas Ahmetit, aktualisht, hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.