Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar pas raportimeve për arrestimin e 25-vjeçarit nga Kosova, Tefik Sejdiu, të cilin policia serbe e kishte ngatërruar me një person tjetër.
Të njëjtin, policia serbe e kishte arrestuar e më pas liruar.
Për këtë Haradinaj-Stublla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet ta ngrejë çështjen e arrestimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në Serbi në dialogun mes dy vendeve fqinje.
“Ministria e Jashtme – përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd – duhet sa më parë të njoftojë zyrtarisht nëse janë të vërteta raportimet se Tefik Sejdiu është arrestuar (dhe pastaj liruar) në Serbi – në kërkim kinse të një shqiptari tjetër”, shkroi ajo.
“Nëse kjo del të jetë e vërtetë, atëherë Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht dhe zyrtarisht – përmes emisarëve ndërkombëtar dhe lehtësuesit të dialogut me Serbinë – t‘a ngrisë çështjen e arrestimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në Serbi si temë urgjente për dialog”, shtoi.
Ish-ministrja ka theksuar se Serbia duhet të japë përgjegjësi në dialog për listat e fletarresteve të lëshuara kundër shqiptarëve të Kosovës.
“Serbia NUK do të duhej të lejohet të shtirret më si shtet bashkëpunues rajonal, sepse vazhdon të mos i respektojë marrëveshjet e arritura përmes Procesit të Berlinit – specifikisht atë për lëvizje të lirë në ËB6 nënshkruar vetëm disa muaj më parë”.
Ajo, po ashtu, e ka përmendur edhe rastin e Nezir Mehmetajt, një ish-luftëtar i UÇK-së i cili po mbahet i burgosur që nga tre janari i vitit 2020.
“Kosova duhet t’ia dëshmojë botës (me argumente faktike sidomos për arrestimet e vazhdueshme që bën, dhe mbajtjen ilegale të Nezir Mehmetajt tash e sa vjet) se Serbia vazhdon të gënjejë Amerikën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, etj. duke nënshkruar marrëveshje sa për ‘sy e faqe’ e pastaj duke shkelë çdo shkronjë të saj”.
Ndryshe, Tefik Sejdiu, ishte ndaluar nga policia serbe në kufirin Hungari-Serbi.