Kina, të dielën e 8 janarit, ka rihapur kufijtë e saj dhe ka hequr masat e karantinës për vizitorë, të cilët hyjnë në këtë shtet, pas gati tre vjetësh, edhe pse vendi po lufton me një valë të re të COVID-19.
Udhëtarët e parë në Kinë u shprehën të lehtësuar që nuk duhej të kalonin nëpër masat e detyrueshme të karantinës, raporton BBC.
Po ashtu, kinezët nxituan të planifikonin udhëtime jashtë vendit pasi zyrtarët njoftuan muajin e kaluar për nisjen lehtësimit të masave, pas protestave kundër politikave për përballje me pandeminë.
Por, ndryshimi i papritur i politikës kundër COVID-19, ekspozoi ndaj virusit shumë nga 1.4 miliardë banorët e Kinës, duke nxitur një valë të re infektimesh që ka mbingarkuar spitalet, ka zbrazur raftet në barnatore dhe ka shkaktuar një alarm ndërkombëtar.
Kina i ka quajtur kufizimet e udhëtimit të vendosura nga vendet e tjera “të papranueshme”.