Ushtria kineze mbajti stërvitje të përbashkëta të sulmeve luftarake në shkallë të gjera, duke dërguar avionë luftarakë dhe anije të marinës drejt Tajvanit, thanë Ministritë e Mbrojtjes të Kinës dhe Tajvanit.
Stërvitja përkoi me vizitën e një grupi ligjvënësish gjermanë, të cilët zbarkuan në Tajvan të hënën në mëngjes, shkruan CNN.
Në krye të delegacionit është Marie-Agnes Strack-Zimmermann, e cila drejton Komisionin e Mbrojtjes të Parlamentit Gjerman.
Ligjvënësit gjermanë do të takohen me presidentin e Tajvanit, Tsai Ing-wen, si dhe me kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Tajvanit dhe zyrtarë të tjerë.
Kina ka rritur presionin e saj mbi ushtrinë e Tajvanit në vitet e fundit, duke dërguar aeroplanë luftarakë ose anije të marinës pothuajse çdo ditë drejt ishullit të vetëqeverisur.
Kina pretendon sovranitetin mbi ishullin, i cili u nda nga Kina në vitin 1949, pas një lufte civile.
Stërvitjet e së dielës kanë vazhduar deri të hënën, tha Ministria e mbrojtjes e Tajvanit, duke monitoruar avionët luftarakë dhe anijet e marinës kineze në sistemet e saj raketore.
Veprimet e Kinës “kanë prishur rëndë paqen dhe stabilitetin në ngushticat e Tajvanit dhe ujërat përreth”, tha Ministria.
Gjatë 24 orëve, nga ora 6 e mëngjesit të së dielës deri në orën 6 të mëngjesit të së hënës, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës fluturoi me 57 avionë luftarakë dhe lundroi me katër anije drejt Tajvanit, tha Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Tajvanit, në një deklaratë të hënën në mëngjes.
Njëzet e tetë nga ata avionë, kaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit, një kufi jozyrtar që të dyja palët kishin respektuar më parë.
Më 8 janar, Kina njoftoi për stërvitjet rreth orës 23:00, duke thënë se “objektivi i tyre kryesor ishte praktikimi i sulmeve tokësore dhe sulmeve nga deti”.
Në fund të dhjetorit, Kina dërgoi një rekord prej 71 avionësh dhe 7 anijesh drejt Tajvanit, ushtrimi më i madh në shkallë të tillë në vitin 2022.
Tajvani do të zhvillojë stërvitjet e tij vjetore ushtarake dyditore duke filluar nga 11 janari.
Stërvitja përpara festave të Vitit të Ri Hënor synon të tregojë aftësitë mbrojtëse të Tajvanit.