Tahiri– Kurtit: Fajëson të tjerët për dështimet, ndërsa meritat e institucioneve të pavarura ia atribuon vetes

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka listuar një sërë kritikash ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të cilin thotë se po fajëson të tjerët për “dështimet e tij”, ndërsa meritat e institucioneve të pavarura po ia atribuon vetes

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri

Për shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po fajëson të tjerët për “dështimet e tij”, ndërsa meritat e institucioneve të pavarura sipas Tahirit, kreu i qeverisë po ia atribuon vetes.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se përgjegjësia e Qeverisë është hartimi dhe miratimi i politikave dhe ligjeve që forcojnë luftën kundër krimit.

Por, siç thekson ai, që dy vjet, Qeveria Kurti nuk ka miratuar asnjë politikë apo ligj që forcon luftën kundër kriminalitetit. Përkundrazi, Tahiti ka thënë se Qeveria “ka marrë veprime që në fakt e dobësojnë sundimin e ligjit”.

“Që gati 5 muaj nuk e ka zgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për të cilën pozitë kishin aplikuar vetëm 5 kandidatë apo 3%, nga ata të cilët kishin të drejtë të aplikonin. Ky numër tejet i vogël është pikërisht rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme të Kryeministrit Kurti në punën e policisë, ndërhyrje që ka ndikuar që pjesëtarët e policisë të mos kenë besim e vullnet për të punuar me këtë qeverisje”, ka shkruar ai.

“Kryeministri Kurti në postimin për të “arriturat” në fushën e luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit, ia atribuoi vetes rezultatet e arritura nga institucionet e agjencive të pavarura në luftimin e kriminalitetit dhe manipuloi qytetarët me shifra e fjalë”.

Tahiri ka potencuar se Kurti është duke vazhduar “të manipulojë më fjalën grupe kriminale” e duke dhënë shifra të larta të shkatërrimit të tyre.

“Çfarë meritash ka Kurti në çështjet operacionale të policisë, prokurorisë e agjencive tjera, kur këto institucione janë të pavarura në hetimin dhe ndjekjen e krimit? Çfarë roli ka luajtur Qeveria Kurti në 854 operacionet policore? Për informatë, në vitin 2019 ishin realizuar 1,156 operacione policore dhe kjo ishte meritë e punës profesionale të policisë, prokurorisë e agjencive tjera të zbatimit të ligjit. Si atëherë, edhe sot, çdo rezultat i arritur në luftimin e krimit është meritë e institucioneve dhe agjencive të zbatimit të ligjit”.

Por ai thotë se ekziston dallim substancial në mes të “grupeve kriminale” e “grupeve të organizuara kriminale”.

“Sikur në Kosovë brenda një viti të luftoheshin 69 grupe të organizuara kriminale, i bie që ne jemi shtet i kapur nga krimi i organizuar dhe me nivelin me të lartë të krimit në Evropë. Prandaj, Kryeministri Kurti nëse dëshiron të përvetësojë merita të institucioneve të pavarura, le të na tregojë se sa grupe të organizuara kriminale janë shkatërruar, pasi këto kanë rëndësi dhe jo grupet e trilluara nga qeveria”.

“Kurti tha se mbylli 16 rrugë ilegale por për 19 ditë bllokoi pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët, jo vetëm që ishin në rrezik nga sulme të mundshme por i detyroi të flinin në dysheme e vetura, pa ushqim të rregullt e medikamente. Kurti tha që ka vazhduar me zbatimin e ligjshmërisë në të gjithë territorin e Republikës por amnistoi barrikaduesit që për 19 ditë bllokuan pjesën veriore të vendit dhe sulmuan policinë, qytetarët dhe pronën private e publike”.

Pos kësaj, lidhur me ndërtimin e katër objekteve dhe stacioneve policore në veri, Tahiri ka thënë se të njëjtat janë objekte “të improvizuara me kontejnerë”.

Në anën tjetër, ai ka përmendur edhe pozita të tjera të institucioneve të cilat tash e një kohë kanë mbetur me ushtrues detyre.

“Njësia e Inteligjencës Financiare ka mbetur me ushtrues detyre, sikurse edhe shumë pozita tjera të larta drejtuese”.

“Dështimin” e Qeverisë në furnizimin e qytetarëve me pasaporta e dokumente personale, Tahiri thotë se u munduan ta arsyetojnë me luftën në Ukrainë.

“Por e vërteta është që Ministria e Punëve të Brendshme me vonesë ka filluar procedurat e prokurimit në vitin 2022 dhe vetëm në qershor ka hapur ofertat, ndërsa ka bërë vlerësimin e ofertave jashtë çdo afati ligjor, duke vonuar procesin për shkak të ndërhyrjeve politike të kabinetit të Sveçlës. Sikur mos të ishin ndërhyrjet politike të Qeverisë, sot qytetarët e Republikës nuk do të kishin problem të furnizoheshin me pasaporta e dokumente personale”.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika