Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pas raportimeve të mediave sllovene për aferën milionëshe, ku pretendohet të jetë i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se “Luka Pers, njëri ndër themeluesit e portalit Prava, është një pseudogazetar që ka punuar deri vonë për Nova24TV, organizatë lajmesh e ekstremit të djathtë”.
Sipas tij, portali është aq i parëndësishëm sa që mezi e gjen online.
“Shpërndarja e këtij “lajmi” nga një portal aq i dyshimtë në disa prej portaleve tona, pa ndonjë verifikim të historikut të Prava dhe profilit të Luka Pers, është në rastin më të mirë jo profesionale dhe jo etike”, ka shkruar Kryeziu.
Kryeziu ndër të tjera ka thënë se trajtimi nga partitë opozitare i një “lajmi” të tillë si temë nacionale, është më “së paku shterpërsi opozitare”.
“Pretendimet e një portali të themeluar nga një pseudogazetar që ka punuar në një organizatë lajmesh të ekstremit të djathtë, llogaria në Twitter i të cilët është suspenduar për shkak të shpërndarjes së lajmeve të rreme, patjetër se janë të pavërteta”.
Ndërkaq, sot gjatë ditës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të sqarojë lidhur me raportimet e mediave sllovene për aferën milionëshe, ku pretendohet të jetë i përfshirë ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Anëtari i LDK-së, Xhafer Tahiri ka thënë se “hulumtimi i fundit flet për 100 milionë euro, para të cilat janë menaxhuar nga kompania “GEN” e me të cilat, sipas tij, është financuar edhe fushata e Albin Kurtit”.
Tahiri ka thënë se LDK-ja kërkon që këto dyshime shqetësuese që rëndojnë imazhin e Kurtit, të adresohen nga Qeveria.
Reagime ka pasur edhe nga PDK, ku shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri ka thënë se “Përmasat e skandalit të Ambasadorit Martin Berishaj me mafinë energjetike, tashmë kanë marrë rrugë dhe po shkojnë në një drejtim të vetëm – zyrën e Kryeministrit Albin Kurti. Përkundër se ky skandal, tash nuk është më vetëm çështje përgjegjësie juridike e penale por edhe degradim i shtetit të Kosovës, Martin Berishaj vazhdon të shërbejë si ambasador.
Tahiri: Qeveria të sqarohet për aferën milionëshe ku u përfshi ambasadori Berishaj